Arvizu: Askush s’është mbi ligjin

Sep 8, 2011 | 10:35
Dje gjatë konferencës “Kundër korrupsionit – sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”

Lufta kundër korrupsionit kërkon nje përpjekje mbarëkombëtare.

Kështu u shpreh dje ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një konference me titull “Kundër korrupsionit – sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”, të organizuar nga Qendra Europiane George C. Marshall për Studime në fushën e Mbrojtjes. Në fjalën e tij, kreu i Diplomacisë amerikane në vendin tonë u shpreh se në vendin nga ai vjen askush nuk është mbi ligjin, përfshi edhe Presidentin. “Edhe ne kemi pasur probleme me korrupsionin. Nuk jemi imunë ndaj tij, por SHBA kanë diçka ndryshe nga këtu. Amerika është një vend që ka njerëz dhe ligje. Nëse dikush nuk i zbaton ligjet, ai kapet, arrestohet dhe burgoset. Kjo duhet bërë edhe në Shqipëri. Të krijohet një sistem që askush të mos jetë mbi ligjin. Mund të jesh qytetar i thjeshtë, mund të jesh zyrtar i lartë, madje edhe President, por askush nuk është mbi ligjin”, tha Aleksandër Arvizu. Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres përsa i përket sigurisë në rastin e municioneve të rënda, por ai vuri theksin te korrupsioni në fushën e sigurisë. “Shqipëria duhet të shpenzojë më shumë energji në luftën kundër korrupsionit, edhe pse ka bërë hapa përpara. Ky është një fenomen që do përpjekje mbarëkombëtare, pasi edhe në SHBA korrupsioni ekziston. Shqipëria ka ecur shumë për të promovuar sigurinë më të mirë kur bëhet fjalë për municionet e rënda, por është e rëndësishme të trajtohet korrupsioni në fushën e sigurisë, pasi mund të ketë pasojë vdekjeprurëse për shqiptarët”, tha Arvizu.
Berisha
Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të politizohet. Sipas tij, nëse kjo gjë do të ndodhë, punohet kundër ligjit dhe ai dobësohet. Duke iu rikthyer kohës kur ai ishte lideri i opozitës dhe denonconte zyrtarët e lartë për korrupsion, Berisha tha se ajo nuk ishte një rrugë e dobishme. “Unë kam qenë lider i opozitës dikur dhe zyra e Prokurorisë në atë kohë nuk funksiononte dhe mendova ‘do të bëhem unë prokuror publik’. Mora një dosje dhe shkova shesh më shesh. Iu tregova njerëzve dokumente. Mendova se kjo është detyra ime. Së paku, mendova, se duhet të bëj detyrën time dhe thosha publikisht se ky person ishte përgjegjës për këtë ose atë. Ishte një lloj transparence, që kam frikë se ndiqte një rrugë që nuk ishte aspak e dobishme, sepse më e keqja në luftën kundër korrupsionit është politizimi. Ne duhet të luftojmë së bashku, duhet të ndryshojmë gjërat së bashku, duhet të bëjmë më të mirë për të mënjanuar politizimin në luftën kundër korrupsionit. Në qoftë se nuk e mënjanoni atë, ndihmoni korrupsionin, punoni kundër ligjit, ju e dobësoni ligjin”, u shpreh Kryeministri. Më tej Berisha u shpreh se çdo reformë tjetër nuk do të kishte sukses nëse nuk do të luftohej korrupsioni. Ai theksoi gjithashtu se “lufta kundër korrupsionit është më e vështira, sepse pavarësisht se sa ke arritur, në rastin kur ke menduar se ke arritur diçka, rrezikon të dështosh në hapat e tjerë. Kjo është një temë qendrore dhe permanente në të gjitha aktivitetet e tua. Por ia vlen, sepse nuk ka reformë që mund të ketë sukses pa luftën kundër korrupsionit. Ka një ilaç që i bën reformat letra të vdekura në të gjitha fushat, dhe ky është korrupsioni në çdo lloj fushe, si në arsimim, në mbrojtje, në siguri”. Sipas Kryeministrit, “nëse do të më pyesnit për eksperiencën tonë, unë e quaj thelbësore çdo reformë që sjell transparencë. Në këtë aspekt, antidoti më i mirë për korrupsionin është transparenca, dhe ajo nuk do të thotë të kesh burime të shumta, transparenca do të thotë të kesh vullnet për t’u bërë transparent”.

Ambasadori

Pak ditë më parë, kreu i Ambasadës Amerikane në vendin tonë kërkoi nga forcat politike vullnet për të kryer reformat. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë reformat, të ecin përpara, dhe kjo duhet të jetë një përpjekje kombëtare. E di që njerëzit thonë se është e vështirë se ka ndasi politike, por fqinjët si Sllovenia dhe Kroacia e kanë kaluar këtë hendek, një mënyrë që të ecin drejt integrimit europian dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo të mos ndodhë në Shqipëri. Kjo u përket aktorëve politikë, që të kenë bindje dhe angazhim. Njerëzit të përqafojnë reformat, të ecin përpara, dhe kjo duhet të jetë një përpjekje kombëtare, por edhe shqiptarët duhet t’ua kërkojnë liderëve të tyre”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura