
Arti nuk ka kufij. Mund të kalojë të gjitha barrierat hapësinore e kohore, mund të flasë të gjitha gjuhët, të kuptohet e të shijohet nga të gjithë.“Ngjyra kufijsh” titullohej ekspozita e hapur disa ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të njohur të pikturës shqiptare, si Ali Oseku, Hasan Nallbani, Mustafa Arapi, për të vijuar tek më të rinjtë, si Ardian Përvathi, Enkelejd Zonja, Ledia Kostandini etj. Por krahas artistëve shqiptarë, pjesë e kësaj ekspozite ishin edhe piktorë nga Mali i Zi, Greqia e Italia. Njëri prej tyre ishte një nga emrat më të njohur të artit malazez, piktori Nikola Gvozdenoviç, i cili u paraqit në këtë ekspozitë të përbashkët me katër tablo, si dhe skulptorja Maja Çakalloviç. Dje në mbrëmje, kjo ekspozitë shënoi fundin e saj dhe me këtë rast u organizua edhe një ceremoni e shkurtër, me pjesëmarrjen e artistëve, por edhe ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, si dhe

kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr. 8, Arben Tafaj, një ndër partnerët e këtij aktiviteti e këtij aktiviteti. Tafaj e cilësoi këtë ekspozitë shumë të suksesshme, duke bërë të njohur edhe rrugën që ajo ka ndjekur në Itali, Mal të Zi e Greqi. Ndërsa ministri Bumçi do të vlerësonte në veçanti këtë bashkëpunim që vjen në një stinë të thatë aktivitetesh. “Arti dhe kultura shqiptare duhet ta shfaqin veten edhe më shumë në kontekstin rajonal”, tha ai, duke shtuar se kështu artistët mund të krahasojnë veten e të rritet konkurrenca. Ai premtoi se do të mbështesë në të ardhmen aktivitete të ngjashme. Ekspozita që u mbyll mbrëmë u mbajt në kuadër të IPA, projekt i BE dhe realizohet në kuadër të bashkëpunimit të qyteteve Tivar dhe Tiranë, nën organizimin e Organizatës turistike të Tivarit dhe kujdesin e Ministrisë së Integrimit dhe MTKRS.
Gvozdenoviç në tiranë
Mes krijimtarisë shqiptare, e cila sjell të fiksuar në tablo pjesë nga realiteti i përditshëm, punët e piktorit malazez dallojnë menjëherë. Është një tematikë tërësisht vetanake, po kështu edhe tonalitetet e ngjyrave dhe tematika, e cila të duket sa e afërt, aq edhe e largët. Njerëz fluturues me shkarpa mbi shpinë që fluturojnë mbi qytet, apo ca dhi brigjata që të duken më njerëzore se vetë njerëzit. “Gjithë krijimtarinë

time jam përpjekur që të jem i ndryshëm nga të tjerët”, thotë 77-vjeçari Nikola Gvozdenoviç. “Gjithnjë kam pikturuar vendin tim dhe nuk jam larguar asnjëherë nga vendlindja ime”, thotë ai. Dhe, në të vërtetë, në pikturat e tij ai me një teknikë që të jep më shumë përshtypjen e një mozaiku, ravijëzon vendin e lindjes, Crmnica, që është frymëzimi i tij i pashtershëm, kozmosi i tij i

vogël, shtëpitë, kishat… një pamje që të duket shumë familjare. “Është qyteti i Shkodrës që na bashkon”, shton piktori. Nikola Gvozdenoviç nuk e ka për herë të parë që vjen në Shqipëri, madje ai e njeh mjaft mirë artin shqiptar. Gjatë karrierës së tij të gjatë pedagogjike ka pasur mundësi të japë mësim edhe në Universitetin e Prishtinës dhe, sipas tij, një nga miqtë e tij më të mirë ka qenë piktori kosovar Myslim Mulliqi. “Kështu që unë e njoh artin shqiptar dhe e vlerësoj shumë. Kam pasur raste të vij në Shqipëri dhe kësaj here nuk kam ardhur si turist, por kam sjellë me vete edhe pikturat e mia. Pata mundësi të shihja punët e kolegëve të mi dhe ata të miat”, tregon piktori, i cili do të kthehej me kënaqësi me një ekspozitë personale, nëse do ta ftonin për një aktivitet të tillë.
Piktori malazez
Nikola Gvozdenoviq ka lindur në vitin 1934, në Glluhi Do. Shkollën e mesme të artit në Novi Sad e mbaroi në vitin 1955, kur dhe regjistron seksionin e skulpturës në Akademinë e Artit në Beograd. Gjatë vitit 1957 kalon tre muaj në Paris, dhe kur u kthye kalon në seksionin e pikturës në klasën e Gjorgje Andrejeviq Kun. Studimet pasuniversitare në seksionin e mozaikut dhe pikturës së afreskeve i mbaron në vitin 1963 dhe punësohet në Shkollën e lartë të Pedagogjisë në Prishtinë. Gjatë vitit shkollor 1966/67, kalon në Akademinë pedagogjike në Nikshiq, ku punon 20 vite si profesor i vizatimit. Nga viti 1987 është profesor në Fakultetin Kulturologjik në Cetinë, ku u bë nismëtar, një nga themeluesit dhe dekani i parë i Fakultetit të Arteve në Cetinë, vend ku doli në pension. Në vitin 2005, me propozim të Fakultetit të Arteve, fiton titullin Profesor Emeritus. Është fituesi i çmimit “13 korriku”, çmimit më të lartë në Mal të Zi, si dhe çmimeve të tjera të shumta për veprimtari të vetë. Ka organizuar ekspozita individuale në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në 130 ekspozita kolektive.
Bumçi: Të ndryshojmë kalendarin artistik
“Duhet të ndryshojmë kalendarin e aktiviteteve”. Kështu u shpreh dje ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, gjatë ceremonisë së ekspozitës “Ngjyra kufijsh”. Sipas tij, gjatë muajve të verës, institucionet kryesore kulturore i mbyllin kalendarët e tyre artistikë, një traditë e cila duhet të ndryshojë. “Shqipëria vizitohet nga më shumë se 1 milion turistë dhe vetëm deti dhe rëra nuk mjaftojnë. Nuk duhet ta lëmë verën pa aktivitete kulturore, ndaj do të ndryshojmë kalendarin artistik, në mënyrë që muajt korrik e gusht të jenë të mbushur me aktivitete të shpërndara në gjithë territorin e Shqipërisë”, tha Bumçi.
ALMA MILE
© Panorama.al











