Artistët e TKOB, me ambiente të reja pune

Jan 13, 2012 | 12:48

Projekti kushtoi 16.7 milionë lekë, pritet ndërhyrje rrënjësore në sallën e shfaqjeve.

Kushdo që vinte nga jashtë, qofshin këta shqiptarë të larguar, apo të huaj, që vetëm pak ditë u duhej të rrinin aty, thoshin se artistët tanë janë “heronj” që punojnë në kushte të tilla…

Salla e studio të zymta, me parket të ashpër e të çngjyrosur nga koha, mure të ftohtë, karrige “mitike” të kohës së komunizmit, ndonjëherë edhe me tri këmbë… Këto ishin kushtet në të cilat prej vitesh punonin artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, edhe pse krahasuar me institucione të tjera kulturore simotra kanë qenë shumë më tepër të angazhuar. Pas dekadash të tëra, ndërtesa hijerëndë e Pallatit të Kulturës pa të vihej dorë mbi ambientet e saj. Brenda një kohe rekord, artistët e TKOB-it dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore janë bërë me ambiente të reja pune, çka mund të përkthehet edhe si një motivim më shumë për të dhënë më të mirën. Gjithsesi, puna më e madhe pritet të kryhet në pjesën më të dukshme të saj, në skenën dhe sallën e shfaqjeve, ku me të vërtetë ka shumë punë për t’u bërë.
Investimi
Sapo hyn nga dera e prapme e TKOB-it, ku buzagaz të pret prej vitesh i njëjti punonjës shërbimi, të shpon hundët era e bojës së vajit dhe e drurit të sapozdrukthuar. Muret duket që sapo janë lyer në të bardhë e brezat me bojë vaji ngjyrë gri. Përballë shkallëve të presin të njëjtat dyer të vjetra korridori, por ndryshimi vjen pas tyre. Nga Zyra e Shërbimeve Mbështetëse mësojmë se falë një fondi prej 16.7 milion lekësh të rinj i janë nënshtruar rikonstruksionit 5 studio solistësh, dy salla baleti, dy studiot e orkestrës dhe të korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, holli koncertor, ndërkohë që hyrjes ballore të TKOB-it i është shtuar një derë dyfishe që pengon ajrin e ftohtë, por edhe zhurmat që vijnë nga qendra. Ndërkohë që riparime të vogla jashtë projektit, “me forcat e vetë” institucionit janë bërë edhe në sallën e provave të orkestrës së TKOB-it.
Sapo hapen dyert e studiove të punës së artistëve, ndryshimi vihet re menjëherë. Parkete të lustruar, ngjyrë druri, mure të izoluar, dollapë e poltrona të reja përpara pianove, ku artistët kanë vendosur secili sipas kustos ndonjë zbukurim, ndonjë fotografi familjare, apo ndonjë portret të kompozitorëve të mëdhenj botërorë, si Bethoven, apo Mozart. E sigurisht nuk është harruar ngrohja. Në secilën prej studiove është vendosur nga një kondicioner i ri, që pianistëve të mos u ngrijnë gishtat mbi tastierë në dimër e të shkrijnë në djersë në verë. Në serinë e studiove është shtuar edhe një tërësisht e re. Aty ku dikur ishte hapësira e një ashensori që ngjiste udhëheqjen në lozhë, është përftuar një studio e re studimi, me të gjitha kushtet e përshtatshme. Ndryshimi është menjëherë i dukshëm në dy sallat e baletit. Njëra prej tyre, ajo me numër 3, prej vitesh ishte tërësisht jashtë përdorimit. Tashmë ajo është funksionale. Parketet janë rrëshinuar, është rindërtuar sistemi i ngrohjes, ajrimit, është eliminuar lagështira që kishte dëmtuar tavanet, është bërë izolimi akustik, janë vënë levat e stërvitjes etj. Një ndryshim rrënjësor ka pësuar edhe holli koncertor. Kush e mban mend ashtu të zymtë me ato kolltukët jeshilë, nuk do ta besojë se ç’dritë ka fituar ajo hapësirë. Përveç parketit, lyerjes, zëvendësimit të kolltukëve, është ribërë dhe sistemi elektrik dhe fonia.
Më pas vijnë skena e salla
Por, puna nuk mbaron me kaq. Do kishte qenë mirë sikur hallet e TKOB-it të mbylleshin vetëm me 16.7 milionë lekë. Ndërhyrja themelore dhe më e kushtueshmja i përket sallës qendrore dhe skenës. Përveç një ndërhyrjeje të para dy viteve për përmirësimin e sistemit të ngrohjes, që stabilizoi disi luhatjen klimaterike nga njëra stinë në tjetrën, ato ambiente nuk kanë parë ndonjë ndërhyrje rrënjësore. U bënë vite tashmë që drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, e ka ngritur nevojën e rikonstruksionit total të këtyre ambienteve, por duhen shuma të mëdha për t’i hyrë me themel punëve. Jo thjesht për shkak të viteve që kanë sjellë me vete edhe amortizimin, por edhe për t’iu përshtatur teknologjisë së kohës, salla dhe skena kanë nevojë për një ndërhyrje rrënjësore, për të qenë komode si për artistët, ashtu edhe për publikun, duke filluar që nga ato më të dukshmet, kolltukët, dyshemeja, perdet, lozhat e sipërme, e cila me gjithë përpjekjen e punonjësve të TKOB-it zor se u del pluhuri gjysmëshekullor, për të vijuar te ndërhyrjet më teknike, që lidhen me akustikën, foninë, ndriçimin etj. Godina e Pallatit të Kulturës, ku janë vendosur TKOB-i dhe Biblioteka Kombëtare nisi të ndërtohej në erën e dashurisë ruso-shqiptare, në vitin 1960 dhe përfundoi në 1966. E që prej asaj kohe, ndërhyrjet kanë qenë fare të vogla. Kaq mjafton për të kuptuar nevojën e ngutshme, por duket se kjo do të kërkojë edhe ca kohë, duke parë buxhetet që i akordohen çdo vit kulturës.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura