Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zbardhur detaje nga dosja hetimore ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Bardhi ka publikuar pjesë të bisedës që ka zhvilluar Balluku me ish-kreun e ARRSH-së Evis Berberin, për ndryshimin e kritereve të eksperiencës për kompanitë që marrin pjesë në tenderat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Sipas bisedave, Balluku pyet Berberin nëse ka ndryshuar kriteret e eksperiencës, duke kaluar nga 5 vite në 3, ndërsa Berberi i përgjigjet se kjo është bërë me kërkesë të Pëllumbit.
Po ashtu Berberi shkruan se “Arta”, e ka njoftuar se është konsultuar me Ballukun përpara takimit me “Pëllumbin”.
Biseda mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit:
Belinda Balluku: Nje pyetje
Evis Berberi: Po
Belinda Balluku: Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperienecen e objekteve te ngjashme Nga 5 vite ne 3???”
Evis Berberi: Kerkoi Pellumbi te jete 3 nga 5 vitet e fundit
Belinda Balluku: Po cne ? Kush e beri kerkesen e KPP?
Evis Berberi: Ne kpp cfare kerkese eshte bere. Te takimi qe patem ne dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kerkoi qe te jete 3 nga 5 vitet e fundit. Sipas Vkm eksperienca duhet kerkuar tre vitet e fundit. Nderkohe qe ai se kishte dhe e lame 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta me tha qe e kishte diskutuar perpara takimit me Pellumbin kete gje me ty.
Pjesë nga dosja hetimore e publikuar nga Gazment Bardhi:
Në lidhje me këtë veprim të njësisë së prokurimit, nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënava teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasit Evis Berberi dhe Belinda Balluku, si më poshtë:
Në datën 26.01.2021, në orën 12:25, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shetasit Evis Berberi mesazhin: “Nje pyetje”. Në orën 12:25, Evis Berberi: “Po”. Në orën 12:26, Belinda Balluku: “Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperienecen e objekteve te ngjashme Nga 5 vite ne 3???”. Në orën 12:26, Evis Berberi: “Kerkoi Pellumbi te jete 3 nga 5 vitet e fundit”. Në orën 12:27, Belinda Balluku: “Po cne? Kush e beri kerkesen e KPP?”. Në orën 12:27-12:31, Evis Berberi: “Ne kpp cfare kerkese eshte bere patem ne dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kerkoi qe te jete 3 nga 5 vitet e fundit Te takimi ge Sipas Vkm eksperienca duhet kerkuar tre vitet e fundit. Nderkohe qe ai se kishte dhe e lame 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta me tha qe e kishte diskutuar perpara takimit me Pellumbin kete gje me ty”.
HETIMET NGA SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë zyrtarisht të pandehur pesë ish-zyrtarë të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të njohur si “besnikët” e ministres Belinda Balluku, për aferën e tenderit të tunelit të Llogarasë.
SPAK bën të ditur se ka ngritur akuza ndaj Evis Berberit, Gentian Gjylit, Erald Elezit, Jetmira Dervishit dhe Mirzeta Kashnicës, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, të pandehurit në kohën e zhvillimit të procedurës kanë pasur funksione të larta drejtuese dhe teknike në institucionet përkatëse.
Evis Berberi ka qenë drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së, Erald Elezi drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Gentian Gjyli drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH, ndërsa Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Hetimet lidhen me procedurën e prokurimit publik për projektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Tenderi u zhvillua fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe, pas anulimit, u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH.
Njoftimi i SPAK
SPAK vijon akuzat për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Në vijim të njoftimit të mëparshëm të publikuar më 31.10.2025, në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza në ngarkim të pandehurve të tjerë; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurve; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë të bëjnë me veprimet e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, i rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale, Evis Berberi – Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
© Panorama.al












