E paska vendosur Arsenali ta mbyllë dhe hapë Premier Ligën sa herë të dojë këtë sezon. Kur duhen edhe 3 javë nga fundi, “topçinjtë” kanë mundur minimalisht Mançester Junajtid në “Emirates Stadium”, për t’u bërë një favor kampionëve të Çelsit, që tani e shohin kreun vetëm 3 pikë larg vendit të parë. Goli i Aron Ramsejt në pjesën e dytë, (goli i parë në Premier Ligë që prej janarit të vitit 2010) i jep vlera të jashtëzakonshme përballjes së javës së ardhshme mes “djajve” dhe bluve të Londrës. Pas presionit të minutave të para, miqtë kuptuan se në rast se nuk do të shtynin përpara, herët a vonë Arsenali do të shënonte. Inkursioni i Fabios në krahun e djathtë nxori në një pozicion ideal Hernandezin, por gjuajta e sulmuesit meksikan u bllokua nga Sanja. Vetëm kaq për djemtë e Fergusonit, sepse Arsenali do t’i rikthehej edhe një herë ritmit të fillimit. Do të vinte minuta e 56-të kur Van Persi do të shërbente nga e djathta një top në pikën e 11-metërshit, që u përcoll drejt rrjetës së Van Der Sarit nga Ramsej. 5 minutat e fundit, Ouen kërkoi një penallti kur u rrëzua në zonë nga Klishi, por gjyqtari nuk lëvizi sërish nga vendi. 4 minutat shtesë nuk ndryshuan asgjë, ndërsa përveç festës që shpërtheu në “Emirates”, nisën ovacionet dhe në Londrën Perëndimore, atje ku Çelsi tani e ka gjithçka në duart e tij.
Xhon Terri
“Ne ishim të bindur se Mançesteri do të ndalej. Është fantastike. Tani gjithçka do të vendoset nga ndeshja direkte. Është shansi ynë i fundit për të fituar titullin e të mendosh se kemi qenë 18 pikë pas dhe tani jemi dhe ne pretendent. Nuk do të dorëzohemi në këto 270 minutat e fundit të kampionatit. Kjo është karakteristika që ka klubi i Çelsit dhe që e ka ngritur në majat e futbollit anglez këto 6-7 vitet e fundit”, – tha kapiteni i kampionëve.
Redknap: Jap doreheqjen, nese ikin yjet
Trajneri i Totenhemit, Herri Redknap, ka kërcënuar se ai do të japë dorëheqjen nga stoli i skuadrës, në rast se drejtuesit e klubit vendosin të shesin yjet e ekipit. Spërsat janë në kërkim të vendit të 4-t në kampionat, çka do të thotë Champions sezonin e ardhshëm, por një objektiv i tillë duket i vështirë pas fitores së Sitit një ditë më parë. “Në rast se ti nis të mendosh se çfarë do të ndodh, pasi të kesh shitur lojtarët më të mirë të ekipit, më mirë të vendosësh të dorëzohesh. Cila është arsyeja për të vazhduar? Në rast se një yll largohet, ai do të pasohet edhe nga të tjerët. Unë nuk jam i sigurt që dua të drejtoj një skuadër që objektiv të vetin ka mesin e tabelës”, – tha Redknap.
© Panorama.al











