
VLORE/ Policia: Punësoi tre veta për të prerë tubat e vaditjes
Arrestohet për vjedhje Qetësor Ferunaj. Fituesi i “Big Brother 2” u vu në pranga të shtunën, pasi rezultoi se ai kishte dëmtuar tubat e hekurit që përdoreshin për vaditje, në rrugën drejt bregdetit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, bëhet e ditur se rreth orës 11:00 të së shtunës, nga shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë janë kapur në flagrancë tre persona, të cilët ishin duke prerë disa tuba hekuri që ndodheshin përgjatë rrugës që të çon për bregdetin e Orikumit. “Daniel Sadikaj, 22 vjeç, banues në fshatin Lubonjë të Vlorës, Gjovalin Mikaj, 28 vjeç, banues në fshatin Bogë, Malësi e Madhe si dhe Arsen Fisti, 24 vjeç, banues në fshatin Dukat i Ri, Vlorë, po prisnin tubat e dalë në sipërfaqe. Këta persona u shoqëruan, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se tubat e hekurit që po priteshin prej tyre kanë qenë në pronësi të Drejtorisë së Ujërave Vlorë dhe kanë shërbyer për vaditje”, pohohet nga Policia. Duke u bazuar në deklaratën e Policisë së Vlorës, konfirmohet fakti se këta tuba ishin nxjerrë nga toka nga shtetasi Qetësor Merko Ferunaj, 37 vjeç, banues në Orikum, ndërsa tre shtetasit e mësipërm ishin punësuar për prerjen e tubove.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë ndalimi i Ferunajt për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal, ndërsa ndaj Sadikajt nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Nga ana e Policisë së Vlorës konfirmohet fakti se bëhet fjalë për protagonistin e “reality show”-t, por nuk dihen ende rrethanat që e shtynë atë të cenojë pronën shtetërore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila do të vazhdojë hetimet mbi këtë ngjarje, që ka si protagonist një prej personazheve të njohura në vend. Pak kohë më parë, Ferunaj u arrestua nga Policia e Vlorës për shkak të protestave të zhvilluara nga banorët e Dukatit për pronat, protestë që degjeneroi në dhunë dhe bllokimin e rrugës drejt Orikumit. Pas tri ditësh, Ferunaj doli para trupit gjykues, i cili vendosi hetimin në gjendje të lirë të 37-vjeçarit.
3 persona
u kapën në flagrancë duke prerë tubat e vaditjes në Orikum, të cilët treguan në polici se ishin punësuar
nga ana e Qetësor Ferunajt për
të kryer këtë proces











