TIRANE – Një 29-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtësia e Francës për trafik droge, u arrestua mesditën e së shtunës në Aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas. Sipas policisë, i arrestuari është Albert Murati, nga Tirana dhe është zbuluar nga sistemi TIMS, në momentin që i verifikoheshin të dhënat, pasi po bëhej gati për fluturim drejt Anglisë. I kërkuari ishte i pajisur me pasaportë britanike, me numër 465348810, si shtetas kosovar, me gjeneralitetet: Albert Zeneli, lindur në Presheve. Por, verifikimi i gjurmëve të gishtave ka zbuluar se në të vërtetë ai ishte pikërisht personi i shpallur në kërkim nga Franca, pasi ishte dënuar me 10 vjet burg. Murati rezultonte të ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lyonit, “për trafikim, eksportim dhe importim ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, kryesisht heroinë dhe kokainë. Nga të dhënat e Interpolit, dhe nga verifikimi i kryer pas arrestimit të tij, rezulton se shpallja në kërkim e 29-vjeçarit është bërë në muajin korrik të këtij viti, dhe ai rezultonte të kishte hyrë në Shqipëri nga Anglia, para se të jepej vendimi ndaj tij. Sipas burimeve nga policia, rezulton që i riu shqiptar nuk ka lëvizur jashtë kufijve të Shqipërisë dhe për këtë arsye ende nuk ishte arrestuar nga policia. Të njëjtat burime thanë se nga përballja e parë ne oficerët e policisë së Komisariatit të Rinasit, Murati ka pretenduar se gjithçka ishte një ngatërresë, pasi nuk ishte ai personi që kërkohej. Ndërsa vazhdimisht ka ngulur këmbë që mbiemri i tij është Zeneli dhe është nga Presheva. Por, gjurmët e gishtave të tij përputheshin plotësisht me ato të personit që ishte në kërkim ndërkombëtar. Aktualisht, Albert Zeneli mbahet në qelitë e paraburgimit në Tiranë, në pritje të përfundimit të procedurave për ekstradimin e tij drejt Francës.











