Arrestohet këngëtari Stresi në Qafë-Thanë

Sep 1, 2011 | 10:11
Arkimed Lushaj, Stresi

Këngëtari i njohur i muzikës rep, Arkimed Lusha, i njohur me emrin e artit si “Stresi”, u ndalua dje nga policia kufitare në Qafë-Thanë, teksa po tentonte të udhëtonte drejt Maqedonisë.Rreth orës 15:30, këngëtarit 25-vjeçar i është bërë e ditur se nuk mund të kalonte kufirin dhe, veç kësaj, duhej të shoqërohej për në Komisariatin e Policisë së Pogradecit. Shkak për ndalimin nga policia ka qenë masa e arrestit e vendosur muaj më parë nga gjykata ndaj këngëtarit me akuzën, “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë”. Në qershor 2011, prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti ndaj “Stresit” akuzën në fjalë për gjobëvënie, pas një konflikti që ai pati me regjisorin Leonard Bombaj, i cili bëri denoncim në polici dhe prokurori. Fillimisht policia lokale e Pogradecit deklaroi se më 13 korrik, kur anuloi urdhër-arrestin, Gjykata e Lartë kishte ndaluar daljen jashtë vendit për këngëtarin. Më pas është sqaruar se databaza e policisë, kishte lënë në fuqi urdhrin e arrestit, edhe pse Gjykata e Lartë kishte vendosur masën “detyrim paraqitje”.
Ndalimi
Një gabim në sistemin TIMS, në pikën e kalimit kufitar të Qafë- Thanës në Pogradec, i ka kushtuar disa orë në qeli këngëtarit, Arkimed Lusha, i njohur me emrin Stresi. Ai ka qenë duke dorëzuar pasaportën në pikën e kontrollit për të kaluar kufirin drejt Maqedonisë, kur është ndaluar nga policia. Shërbimet e policisë kufitare i kanë vënë prangat 25-vjeçarit, duke i thënë se rezulton person në kërkim për “kanosje” dhe “gjobëvënie”. Sipas të dhënave, mësohet se akuzat për të cilat këngëtari rezultonte ende në kërkim, ishin ato që kishte ngritur ndaj tij regjisori Leonard Bombaj, disa muaj më parë. Burimet thanë se Stresi nuk ka bërë asnjë lloj rezistence ndaj forcave të policisë, por vetëm ka tentuar që të sqarojë se bëhej fjalë për një ngatërresë, pasi ai vërtetë ka qenë person në kërkim, por tashmë nuk është më, pasi akuzat kundër tij kanë rënë. E megjithatë, emri i tij figuronte ende në listën e personave në kërkim, kështu që Stresi është transportuar në Komisariatin e Pogradecit. Aty mësohet se ka qëndruar deri në mbrëmje, më pas e kanë transportuar me një fugon policie, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Policia e kryeqytetit, që rezulton të jetë edhe autoriteti që e kishte shpallur në kërkim reperin 25-vjeçar, pritet të sqarojë incidentin e Qafë-Thanës.
Akuza për gjobëvënie
Sipas dosjes së Prokurorisë, regjisori Leonard Bombaj, drejtues i një qendre artistike për fëmijë, ka përjashtuar prej saj një prej fëmijëve, të miturën 15-vjeçare B.D.(red), në shtator të vitit 2010. Ky vendim nuk është pritur mirë nga babai i të miturës. Ai ka kërcënuar më pas regjisorin, por Bombaj iu drejtua policisë dhe denoncoi kanosjen. Referuar thënieve të regjisorit në prokurori, pas kallëzimit të tij për “kanosje”, ai ishte kërcënuar sërish. Sipas tij, disa ditë pas këtij kallëzimi, disa persona kanë mbërritur në shtëpinë e tij dhe i kanë kërkuar 20 mijë euro. Sipas pretendimeve të Bombajt, këtë shumë parash ia kishin kërkuar në formë dëmshpërblimi, duke e akuzuar për dhunimin seksual të mikeshës së tyre B.D.. Po sipas deklarimeve të Bombajt, i detyruar prej tyre, ai pretendon se pak më vonë ka tërhequr në një bankomat nga llogaria e tij një shumë prej 50 mijë lekësh. Pasi janë ndarë nga ky takim, këta persona janë larguar bashkë me automjetin personal të regjisorit Bombaj. Sipas rrëfimit të regjisorit, më 23 shtator 2010, Arkimed Lusha dhe Elis Basha e kanë ritakuar atë. Pasi kanë siguruar certifikatën e pronësisë së automjetit, regjisori pretendon se ata kanë tjetërsuar pronësinë e automjetit para një noteri, në favor të tyre. Para prokurorëve, regjisori ka deklaruar se i ishte kërkuar një shumë prej 5 mijë eurosh në këmbim të rikthimit të automjetit. Po sipas thënieve të tij, një tjetër “gjobë” i ishte vendosur nga i dyshuari Elis Basha. Sipas regjisorit, Basha i kishte premtuar që mund t’i mbyllte atij problemet me Drejtësinë në këmbim të një shume prej 3 mijë eurosh.
Ngatërresa
Çështja penale në ngarkim të këngëtarit, që njihet me emrin Stresi, ka kaluar në disa hallka gjyqësore, pasi prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në qershor 2011, caktimin e masës së arrestit për Arkimed Lushën dhe tre shokë të tij. Gjykata e Shkallës së Parë refuzoi kërkesën e prokurorisë dhe, madje, ndryshoi edhe kualifikimin e veprës penale për të. Prokuroria menjëherë kundërshtoi, dhe çështja shkoi në Gjykatën e Apelit, e cila, në fund të muajit qershor, vendosi të miratojë kërkesën e organit të akuzës për arrestimin e Stresit dhe tre miqve të tij. Mirëpo, gjatë kësaj kohe, policia nuk arriti të kryente ekzekutimin e urdhrave të arrestit dhe, ndërkohë, avokatët apeluan masën e sigurisë “arrest me burg”. Çështja mbërriti në Gjykatën e Lartë, e cila më 13 korrik anuloi urdhrat e arrestit dhe vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Arkimed Lushën.

Stresi: Kanë harruar të më heqin emrin nga lista e të kërkuarve

TIRANE – Pak orë pas ndalimit të Arkimed Lushës në pikën kufitare të Qafë-Thanës, e kontaktuar nga gazeta “Panorama”, nëna e Stresit, Shpresa Lushaj, u shpreh se gjithçka është një ngatërresë, një keqkuptim dhe ajo shprehu besimin se gjithçka do sqarohet shumë shpejt. “Është thjesht ngatërrese. Mesa duket policia kishte harruar t’i hiqte emrin Stresit nga lista e personave në kërkim dhe kjo ka qenë arsyeja që e kanë ndaluar. Ai nuk ka bërë asgjë për t’u arrestuar, për ketë arsye ne jemi të qetë. Gjithçka do të zgjidhet nesër (sot) në orën 08:00 të mëngjesit, kur emri i tij të hiqet nga sistemi, pasi sot (dje), kur ndodhi e gjithë kjo, kishte përfunduar orari zyrtar dhe nuk kryheshin më veprime në sistem”, është shprehur nëna e reperit të njohur. Ndërsa vetë Stresi, i kontaktuar nga gazeta, ka treguar se e gjithë kjo është thjesht një aventurë. “Isha nisur për një koncert në Maqedoni. Më ndaluan në Qafë-Thanë, në kufi dhe më sollën në Komisariatin e Pogradecit, më nisën drejt Tiranës. Gjithçka ishte një keqkuptim, pasi kishin harruar të më hiqnin emrin nga sistemi, dhe rezultoj ende në kërkim, edhe pse, në fakt, tashmë nuk jam më në kërkim. Sapo të lirohem do të udhëtoj sërish drejt Maqedonisë, për të vijuar atë që më penguan në kufi”, u shpreh Stresi. Sot pritet që policia e kryeqytetit të marrë një vendim dhe të sqarojë incidentin e ndodhur pasditen e djeshme në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës. Sipas procedurës, këngëtari është transferuar mbrëmë në ambientet e policisë së Tiranës, ku do të bëhet më pas verifikimi i gjithë dokumentacionit të çështjes dhe saktësimi se cili urdhër i gjykatës mbetet në fuqi. Me masa të zakonshme nga policia, mësohet se, 25-vjeçari mbrëmë ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku më pas, në praninë e avokatit të tij, ka dhënë shpjegime për çështjen dhe ka bërë edhe saktësimet në lidhje me mandatin e arrestit të anuluar nga Gjykata e Lartë.

Dosja e gjobëvënies, hetimet drejt fundit

Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka anuluar urdhër-arrestin ndaj Stresit, madje e ka hequr fare nga lista e të akuzuarve njërin nga katër të dyshuarit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vazhduar hetimet për ngjarjen. Hetimet në fjalë, mësohet se janë drejt përfundimit, ndërsa organi i akuzës pritet të dorëzojë dosjen në gjykatë për vlerësimin e provave në themel. Arkimed Lusha, personazhi më publik i dosjes, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij nga prokuroria.

© Panorama.al

Te lidhura