Dyshohet se droga kishte destinacion tregun në Tiranë. 27-vjeçari e kishte fshehur në makinë.
Te “Mbikalimi i Plepave” në Durrës, në operacion edhe RENEA
Sekuestrohen rreth pesë kilogramë heroinë në Durrës. Bllokimi i lëndës narkotike dhe arrestimi i poseduesit të saj, shtetasit Judmir Kuqi, 27 vjeç, nga Fieri, u realizua pas një operacioni të ndërmarrë nga Sektori Kundër Narkotikeve, në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, si dhe forcat e RENEA-s. Burime të Policisë së Durrësit, në një komunikim zyrtar pas ngjarjes, bënë të ditur se sekuestrimi i lëndës narkotike, si dhe arrestimi i trafikantit fierak ishte si rrjedhojë e një operacioni të zhvilluar në “Mbikalimin e Plepave” në Durrës. Blutë kishin marrë informacione në rrugë operative mbi aktivitetin e jashtëligjshëm të 27-vjeçarit Judmir Kuqi. Sipas burimeve të Policisë, ka qenë një telefonatë e mbërritur në sallën operative të policisë që ka dhënë detaje mbi automjetin dhe personin që posedonte drogën, por edhe për itinerarin që ky i fundit do të ndiqte.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip ‘Golf 4’, me targa AA 308 AP, agjentët e Antidrogës kanë konstatuar se në tapicerinë e automjetit ishte fshehur sasia e lëndë narkotike, e cila pas peshimit, rezultoi se ishte 5 kg e 80 gr substancë. Droga ishte e ndarë në tetë pako të vogla të mbështjella me letër celefoni transparente”, bënë të ditur burime të Policisë. Lidhur me intinerarin e 27-vjeçarit, Policia bëri të ditur se ai ishte nisur nga qyteti i Fierit, ndërsa destinacioni ende nuk është bërë publik. Por, grupi hetimor dyshon se droga ishte e destinuar për tregun e brendshëm të Tiranës. Krahas sasisë së lëndës narkotike, blutë sekuestruan edhe automjetin tip “Golf”, në të cilin ishte fshehur sasi e lëndës narkotike, si dhe dy celularë të cilët i mbante me vete i arrestuari. Tashmë po hetohet për të identifikuar edhe pjesëtarë të tjerë të mundshëm të këtij trafiku, ndërkohë që i arrestuari është marrë në pyetje deri në orët e vona, me qëllim për të zbuluar vendin nga është marrë sasia e lëndës narkotike, si dhe destinacionin e saj përfundimtar. “Jemi duke hetuar për pjesëtarë të tjerë, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike”, bënë të ditur burime nga grupi hetimor. Mësohet se po dje është ushtruar kontroll i imtësishëm në banesën e të ndaluarit në Fier, por edhe në disa banesa të tjera të dyshuara në Tiranë.
5.08 kilograme
heroinë ishte sasia e drogës që i riu fierak kishte fshehur në automjetin e tij me targa të huaja. Lënda ishte e ndarë në tetë pako të vogla të mbështjella me letër celefoni transparente.
Në pranga 3 të kërkuar në Itali për drogë
Pesë persona, tre prej të cilëve në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, u arrestuan nga Policia e Durrësit. Mësohet se në pranga kanë rënë bashkëshortët Sami Osmani, 59 vjeç, dhe Naxhie Osmani, 54 vjeçe, si dhe një tjetër shtetase me iniciale E.T., 32 vjeçe, që të tre banues në Durrës. Gjykata e Bolzanos në Itali, me vendim të datës 22 korrik 2011, i ka dënuar këta shtetas me nga rreth 5 vjet secilin për veprën penale të trafikimit të narkotikeve. Po kështu, policia ndaloi edhe shtetasit Bekim Isufi, 18 vjeç dhe I.K., 25 vjeç, pasi dyshohen si shpërndarës të lëndëve narkotike në këtë qytet.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











