Policia ka arrestuar mbrëmjen e djeshme anëtarin e organizatës kriminale “Hakmarrje për Drejtësi“, Dritan Dylber Hate, 37 vjeç, i cili në momentin e arrestimi ka qenë i shoqëruar edhe nga një efektiv policie.
Në detajet që policia dha ditën e sotme, thuhet se Dritan Hate akuzohet për një sërë krimesh të rënda si, vrasje, vendosje të lëndëve eksplozive e të tjera krime të rënda.
Ai ishte person në kërkim pasi akuzohet për veprën penale të “Vrasjes”, sepse me Vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë të datës 28 Prill të vitit 2009, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest Burg” duke e dënuar më 23 vjet burgim në mungesë.
Policia ka arrestuar edhe dy shtetas të tjerë të cilët ishin nën shoqërinë e 37- vjeçarit, Gentjan Tush Kaci, 32 vjeç, banues në Tiranë si dhe Ermal Sali Mustafaraj, 34 vjeç, banues në Mëzez Tiranë, me detyrë punonjës policie.
Sipas policisë, shtetasi Dritan Hate ka qenë i shpallur në kërkim që prej vitit 1996 dhe falë një operacioni të mirë organizuar u arrit dhe kapja e tij në zonën e Medresesë në Kryeqytet.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar, tre armë zjarri pistolet të tipeve TT dhe Zastava, gjithashtu ju gjend dhe një sasi lënde eksplozive tritol, të cilat i ndaluari i kishte me vete në momentin e arrestimit.
Nga kontrollet në banesë iu gjetën dhe sekuestruan një automjet “BMV”, një motorçikletë, maska, doreza lëkure si dhe një sasi e konsiderueshme parash e eurosh.
© Panorama.al











