Dy persona të akuzuar si sekserë të pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë u arrestuan dje nga Policia e Tiranës me urdhër të Njësisë Task-Forcë Antikorrupsion. Shtetasi Kreshnik Cami, kamerier në një lokal pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe Bujar Luga, punonjës i Fakultetit të Mjekësisë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm tek personat që ushtrojnë funksione publike”. Arrestimi i dy të dyshuarve është bërë ditën e djeshme, pasi Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, vendosi masën “arrest me burg” në mungesë ndaj Bujar Lugës, punonjës i administratës së Fakultetit të Mjekësisë dhe Kreshnik Camit, kamerier në lokalin pranë Fakultetit të Mjekësisë. Duke ndërmjetësuar me studentët, ata akuzohen se kanë marrë shuma parash në pesë raste. Paratë janë marrë nga studentët me premtimin se do t’u jepeshin pedagogëve. Sipas Prokurorisë, në dy raste të arrestuarit kanë marrë nga 50 euro për dy provime, ndërsa më vonë ata u kanë marrë studentëve “të interesuar”, edhe për tri provime të tjera, shumën prej 5 mijë lekë të reja për çdo lëndë.
E gjithë historia ka nisur në kohën e sezonit të provimeve janar-shkurt të këtij viti. Studentët, të “frikësuar” nga provimet dhe mbingarkesa me studime, shpeshherë shkonin në lokalin pranë Fakultetit të Mjekësisë. Ata për orët të tëra qëndronin aty duke lexuar leksionet ose duke diskutuar me njëri-tjetrin për vështirësitë në provime. Ndërkohë, kamerieri që u shërbente, shtetasi Kreshnik Cami, pasi ka dëgjuar studentët “e dorëzuar” përballë vështirësive në provime, ka ndërhyrë duke u thënë “të mos e vrisnin mendjen”, pasi “ka mënyra të tjera të lehta për t’i marrë provimet kollaj fare”. Më pas kamerieri i lokalit pranë Fakultetit u ka pohuar studentëve se njihej me pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë dhe e dinte se ata kalonin në provime kundrejt pagesave. Ai ka thënë se pedagogët e dy lëndëve i donin pagesat në euro, ndërsa tre të tjerët kërkonin pagesa në lekë. Studentët kanë paguar sipas instruksioneve që u ka dhënë kamerieri, i cili u ka treguar studentëve se ndërmjetës ishte edhe një punonjës i administratës së Fakultetit, Bujar Lugai.
Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet në fund të janarit 2011 dhe, pas 5 muajsh hetime, dy të dyshuarit janë vënë në pranga. Është e paqartë nëse do të hetohen edhe pedagogët që kanë marrë ryshfet.
5 raste
ryshfeti janë dokumentuar nga Prokuroria gjatë hetimeve ndaj dy shtetasve të arrestuar për korrupsionin tek Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë











