Analisti Fatos Lubonja komentoi deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëroi betejë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të pezullimit të Belinda Ballukut nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe reagimin që pasoi më pas nga Komisioni Evropian, që Kuvendi të veprojë me heqjen e imunitetit të saj.
Në një intervistë për News 24, analisti Lubonja theksoi se SPAK duhet të kishte vepruar që në fillim me dhënien e masës së arrestit ndaj të të pandehurës Belinda Balluku, dhe jo të kërkonte pezullim nga detyra, masë për të cilën “topi” përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.
Duke komentuar reagimin e KE, Lubonja tha se ndërkombëtarët duhet të ishin më të ashpër dhe të ushtronin presion më të madh. Sipas tij, në këtë çështje, faktori më i rëndësishëm është ai ndërkombëtar pasi, siç shtoi ai, reagimin qytetar dhe të opozitës nuk e sheh të duhur.
“Do të dëshironim të ishte kështu që BE, KE të ngulmonin dhe në një farë kuptimi do të ishte presion i madh që i shtohej gjithë situatës, mbështetje ndaj këtyre vendimeve të fundit, veçanërisht të SPAK. Të them të drejtën nuk jam i sigurt, ndoshta do më quani skeptik, por do të doja që e para kemi këtu KE, ambasadorin dhe kanë kaluar kaq kohë e shikojnë se çfarë bëhet në Shqipëri.
Nuk duhet të prisnin rastin Balluku për të kuptuar se çfarë bëhet në Shqipëri. Kanë qenë mbështetës për të futur Shqipërinë kështu që teza ime është pak më e kujdesshme. Koha do ta provojë.
Mendoj se reagimi qytetar nuk është në atë nivel sa të detyrojë Ramën që të pranojë pavarësinë e drejtësisë, pa kontrollin e tij. Mendoj se faktor kryesor do të ishte guximi dhe parimshmëria e të gjithë organeve të drejtësisë, që nuk e shoh në nivelin e duhur. Që në fillim SPAK duhet të kishte kërkuar arrestin dhe jo me atë kërkesë që topi të shkonte te GJK. Edhe protestat e opozitës nuk i shoh si faktor kaq të rëndësishëm. Më i rëndësishmi mbetet faktori ndërkombëtar.
Nuk jam i sigurt që ky faktor është kaq i vendosur që ka parë një padrejtësi që nuk mund të lejohet më dhe kërkon me ngulm se përndryshe do të bëjë punët e veta. Kur Berisha bënte sulme ndaj SPAK, ndërhynin të gjithë këta. Këtu akoma nuk thonë një fjalë për Edi Ramën.”, u shpreh Lubonja.
© Panorama.al












