
Vetëm pak ditë pas tentativës për tu arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë- Krujë të katër prej të dënuarve, shkarkohen krerët e burgut.
Mësohet se janë liruar nga detyra drejtori i Burgut, Shkëlqim Kalemi, shefi i sigurisë, Edmond Alimadhi si dhe komisari, Kujtim Lushaj.
Pak ditë më parë në burgun e sigurisë së lartë të Fushë- Krujës dështoi arratisja e katër të dënuarve, Fran Marashi, Altin Kodra, Gëzim Gjuri dhe Prel Vuçaj, tre prej tyre të dënuar me burgim të përjetshëm dhe njëri (Altin Kodra) me 22 vite heqje lirie.
Ndërkaq, për ngjarjen është arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës gardiani i Burgut, Petrit Selimi.
Nga hetimi i kryer nga ana e Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se efektivi Petrit Selimi nuk ka qenë i vëmendshëm në momentin që të katër të dënuarit kishin prerë hekurat e dritares së qelisë, kishin shembur një pjesë muri dhe më pas ishin larguar duke kaluar në disa ambiente të tjera të korridorit, derisa kanë arritur të ngjiten në tarracën e njërës prej godinave të izolimit.
Drejtoria e Burgjeve ka bërë të ditur se asnjëri prej katër të dënuarve që u kapën në momentet e fundit para se të arratiseshin, nuk kanë pranuar të përfshijnë emra të tjerë të implikuar në këtë veprim.
© Panorama.al











