
Pas tentativës së arratisjes së katër të burgosurve, arrestohet me akuzën e shpërdorimit të detyrës gardiani i Burgut të sigurisë së lartë të Fushë-Krujës.Nga hetimi i kryer nga ana e Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se efektivi Petrit Selimi nuk ka qenë i vëmendshëm në momentin që të katër të dënuarit, mes të cilëve tre me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 22 vjet burg, kishin prerë hekurat e dritares së qelisë, kishin shembur një pjesë muri dhe më pas ishin larguar duke kaluar në disa ambiente të tjera të korridorit, derisa kanë arritur të ngjiten në tarracën e njërës prej godinave të izolimit. Hetimi konkludoi se të burgosurit Fran Marashi, Altin Kodra, Gëzim Gjuri dhe Prel Vuçaj, që të gjithë nga rrethi i Shkodrës, nuk janë vënë re nga polici, i cili shërbente në korridorin e dhomave në godinën nr.3 të burgut të Fushë-Krujës, dhe kishte nën ruajtje edhe katër shtetasit që tentuan arratinë.
“Nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë në momentin që kam qenë me shërbim. I kontrollova të gjitha dhomat që kisha nën ruajtje për tetë orë, në momentin që mora shërbimin. Por nuk vura re asnjë shenjë të prerjes së hekurave dhe asgjë tjetër të dyshimtë, që mund të çonte në arratisjen e katër të burgosurve”, është shprehur pas arrestimit efektivi, i cili natën e ngjarjes ka qenë rojë shërbimi në korridorin ku ndodhej edhe qelia e katër të burgosurve shkodranë. Burime nga grupi i hetimit thanë se efektivi i arrestuar është shprehur se e kishte mësuar ngjarjen vetëm në momentin kur kishte dëgjuar të shtënat në ajër të kolegut të tij, i cili zbuloi tentativën e arratisë. “Në këtë moment kontrollova menjëherë dhomat dhe pashë se katër prej tyre nuk ndodheshin në njërën prej qelive”, është shprehur më tej efektivi i arrestuar. Ai e ka justifikuar këtë edhe me zhurmën e madhe që kishin shkaktuar reshjet e furishme dhe era në ato momente. Gardiani është shprehur se i ka kontrolluar të paktën në çdo 30 minuta dhomat e izolimit, por drita e dhomës së katërt të të dënuarve, si edhe e dhomave të tjera kishin qenë të fikura, duke e vështirësuar shikimin me imtësi. Mësohet se Petrit Selimi e ka marrë detyrën në orën 22:00 dhe do ta dorëzonte në orën 06:00 të së martës. Burime nga Drejtoria e Burgjeve bënë të ditur se asnjëri prej katër të dënuarve që u kapën në momentet e fundit para se të arratiseshin, nuk kanë pranuar të përfshijnë emra të tjerë të implikuar në këtë veprim. “Ne nuk presim dënim tjetër më të rëndë, pasi nuk e përmban Kodi Penal. Do të vazhdojmë të tentojmë arratisjen kudo që të na transferojnë”, janë shprehur ata. Ndërsa i dënuari me 22 vite, Altin Kodra, është shprehur se vendimi për arratisje ishte marrë në mënyrë unanime dhe se ai nuk kishte pse të ndahej nga shokët e qelisë. Ata nuk kanë pranuar të tregojnë se kush ua kishte futur thikën e diamantit në dhomë, me të cilën prenë hekurat e dritares.
Prokuroria: Dyshojmë për bashkëpunëtorë
Asnjë nga të dënuarit që tentuan arratinë nuk do transferohet për momentin, pasi ata janë nën hetim dhe po punohet për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tyre. Mësohet se dje janë shtuar masat e sigurisë në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se në këtë tentativë arratisjeje dyshohet të jenë të implikuar edhe persona të tjerë, ndaj nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera. Por nuk konfirmohet nëse do të ketë arrestime brenda burgut, apo nëse ata do të jenë të afërm të të burgosurve që u kanë futur mjetet e veprimit brenda në qeli.
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI











