
Prokuroria kërkoi dje shtyrjen e seancës së radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj ish-zyrtarëve të Shërbimit Informativ, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Organi i akuzës deklaroi se letër-porosia e dërguar në Britani për të marrë shpjegime nga Ilir Kumbaro, njëri nga të akuzuarit, nuk ka marrë përgjigje.
Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë dërgoi letër-porosi në Londër me disa pyetje për Ilir Kumbaron, i cili nuk i ishte përgjigjur letër-porosisë së parë pasi mohonte lidhjen me ngjarjen duke pretenduar se quhet Shaqa Shatri dhe është nga Kosova. Për shkak të procedurave të letër-porosisë, prokuroria kërkoi dje shtyrjen e seancës deri në mbërritjen e një përgjigjeje nga pala britanike. Policia në Londër ka kërkuar ndihmë me informacione për t’i rënë në gjurmë ish-shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, Ilir Nazmi Kumbaro, 58-vjeçar, i kërkuar për akuza lidhur me torturë dhe rrëmbim. Policia thotë se ai po fshihet në Britani, siç dyshohet, duke u strehuar te miqtë e tij në Londër ose ndonjë qytet tjetër. Kumbaro duhej të paraqitej në një gjykatë në Londër për dëgjim lidhur me ekstradimin, por ai më 1 dhjetor nuk ishte paraqitur në seancë. Autoritetet në Shqipëri e akuzojnë Ilir Kumbaron dhe gjashtë persona të tjerë për torturë dhe rrëmbim, përfshirë edhe rrëmbimin e një personi, i cili nuk është parë i gjallë prej vitit 1995. Policia britanike thotë se Kumbaro kishte kërkuar azil në Britani para 15 vitesh, duke u paraqitur si refugjat shqiptar nga Kosova. Atij i ishte dhënë pasaporta britanike nën emrin Shaqa Shatri, ka njoftuar Policia. Sipas mediave britanike, ai ishte zbuluar kur e kishte përdorur emrin e tij të vërtetë për të kërkuar ndihma. “Serioziteti i akuzave për krime është arsye që ne dëshirojmë ta gjejmë atë”, tha detektivi Pit Rens nga Policia londineze, dhe shtoi se “ky është hetim i profilit të lartë ndërkombëtar, që ka involvuar shpenzime publike në Britani”.











