ITALI – Arratisja nga burgu e tre shtetasve shqiptarë ka shkaktuar një skandal të vërtetë në Itali. Një ditë pas largimit nga burgu i Vogheras të Dritan Rexhepajt, Ylli Ndoit dhe Leonard Myrtajt, zyrtarët e burgjeve në Itali kanë dhënë alarmin. Donato Capece, sekretar i Përgjithshëm i Burgjeve, ka deklaruar se rënia drastike e masave të sigurisë në burgjet e Italisë është pasojë e largimit të vëmendjes për këtë sektor. Ai ka vënë në dukje se në burgun e Vogheras, nga i cili u arratisën tre shqiptarët në Pavia, vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë plagosur 35 persona nga incidentet e brendshme mes të dënuarve me njëri-tjetrin. Sekretari i burgjeve ka pohuar se ky sektor është duke vuajtur shkurtimet e fondeve dhe të administratës të ndërmarra gradualisht gjatë viteve të fundit nga autoritetet italiane. Ditën e djeshme policia italiane ka vazhduar ngritjen e postblloqeve në të gjithë zonën rreth burgut ku ndodhi arratisja. Ndërkohë është arritur të identifikohet edhe automjeti me të cilin janë larguar tre shqiptarët. Pasi kanë dalë nga burgu dhe kanë ecur në këmbë për disa minuta, ata kanë arritur një grua, e cila po ecte në rrugën kryesore me makinën e saj. Të arratisurit i kanë kërkuar asaj t’i çonte në Milano, por pasi gruaja ka kundërshtuar ata i kanë marrë me forcë automjetin tip “Hyundai” dhe janë larguar. Sipas burimeve nga policia italiane, cituar nga mediat e shtetit fqinj, tre shqiptarët u arratisën të enjten, në kohën kur personeli i burgut të sigurisë së lartë ishte duke ndërruar turnet. Tre shtetasit shqiptarë, tashmë të shumëkërkuar, mësohet se kanë dalë nga një derë druri që përbëhet nga dy kanate. Kjo derë përdoret vetëm nga gardianët e burgut, për të dalë efektivat që lënë turnin dhe për të hyrë efektivat që marrin shërbimin. Nuk dihet se si kanë arritur të dalin nga kjo derë tre shtetasit shqiptarë. Media italiane shkruante dje se njëri nga të arratisurit, Leonard Myrtaj, është akuzuar në vitin 2008 se i ka rrëmbyer 12 mijë euro me dhunë dhe nën përdorimin e armës një biznesmeni. Ngjarja kishte ndodhur në afërsi të Xhenovës. Biznesmeni ishte mbajtur peng dhe më pas ishte gjetur i lirë në provincën e Masas 24 orë më vonë. Dritan Rexhepi akuzohej për trafik droge në Itali, kurse në Shqipëri ai është akuzuar për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë dhe është arratisur nga paraburgimi i Durrësit pasi ishte arrestuar në vitin 2006.











