
Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur në vitin 1995, i kërkon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të urdhërojë hetim dhe procedim penal për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Nëpërmjet një letre dërguar dje kreut të shtetit shqiptar, pasardhësi i biznesmenit Hoxha i etiketon togat e zeza të Gjykatës së Lartë si “përgjegjës” për arratisjen e Ilir Kumbaros. Ish-agjenti i SHIK-ut, 40 ditë më parë është zhdukur pa gjurmë në Angli, ku ndodhej në pritje të ekstradimit si një prej të akuzuarve për zhdukjen. Sipas Ardian Hoxhës, vonesa në zbardhjen e vendimit të Kolegjeve të Bashkuara për masën e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros i dha këtij të fundit mundësinë që të arratisej. “Në emër të familjes sime ju drejtohem Juve si institucioni më i lartë shtetëror, President i Republikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i KLD-së, por, mbi të gjitha, si një nga njerëzit e paktë në skenën politike në Shqipëri që kanë mbetur me dinjitet dhe njerëzi”, e nis Hoxha letrën e tij drejtuar Presidentit Topi. Sipas Hoxhës, për më tepër se 16 vjet njerëzit që kanë rrëmbyer dhe zhdukur babanë e tij, të mbështetur nga grupet mafioze politike, përpiqen të pengojnë zbardhjen e së vërtetës së zhdukjes së biznesmenit në mënyra nga më të ndryshmet. “Me këtë rast, Ju lus që të urdhëroni një hetim dhe procedim penal për shkeljet flagrante që Kolegji Penal dhe Gjykata e Lartë, me në krye Shpresa Beçajn, kanë bërë duke mos zbardhur vendimin e datës 14 tetor 2011 në lidhje me masën e arrestit të Ilir Kumbaros ‘arrest me burg’, gjë që më pas i mundësoi të arratisej nga drejtësia e Britanisë së Madhe”, shprehej në letër Ardian Hoxha. Në vijim Hoxha shprehej se “më 14 tetor, 2011, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë morën vendim që masa e sigurisë ‘arrest me burg’, e caktuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndaj Ilir Kumbaros më 5 janar 2010, të mbetet në fuqi. Ky vendim i hapte rrugën ekstradimit të Ilir Kumbaros në Shqipëri në seancën e 1 nëntorit 2011. Mirëpo, edhe pse ligji kërkon vetëm 2 javë për zbardhjen e vendimeve, Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk e shpalli zyrtarisht vendimin për më tepër se 2 muaj, gjë që fillimisht bëri që seanca të shtyhej për datën 1 dhjetor, e më pas ia dha mundësinë e arratisjes së të implikuarit kyç, Ilir Kumbaros”. Letra në fjalë i bëhej me dije edhe nënkryetarit të KLD-së, ministrit të Drejtësisë, prokurores së Përgjithshme si edhe ambasadorëve të SHBA, BE-së dhe OSBE-së në Shqipëri. ar.ba
ARMAND BAJRAMI











