Arratiset nga burgu vrasësi i dy policëve

Mar 18, 2011 | 9:42

Dritan Rexhepaj, personi i parë i akuzuar zyrtarisht nga Proku-roria shqiptare si vrasës me pagesë, u arratis dje nga burgu në Itali.Ngjarja ka ndodhur në orën 14:45 të ditës së djeshme, në burgun Voghera, në provincën e Pavias. Media italiane shkruante dje se Rexhepaj u arratis së bashku me dy shqiptarë të tjerë, duke e çuar në tre numrin e personave që humbën gjurmët, pasi dolën në mënyrë të paqartë nga burgu “i sigurisë së lartë”. Tre të arratisurit nga burgu janë: Leonard Myrtaj, 32 vjeç, i dënuar me burg për rrëmbim dhe grabitje, Dritan Rexhepaj, 31 vjeç, i akuzuar për vrasje dhe krime të tjera dhe Ylli Ndoj, 34 vjeç, i akuzuar për vrasje e trafik droge. Mediat italiane shkruanin mbrëmë se tre të dënuarit arritën të dalin nga burgu në rrethana të paqarta, siç duket duke përfituar nga mungesa e vëmendjes nga personeli i sigurisë së burgut. Autoritetet kanë thënë se administrata, në fakt, kishte pasur një porosi të mëparshme për t’i pasur nën kujdes tre shqiptarët dhe në veçanti Dritan Rexhepajn, person i arratisur në mënyrë spektakolare nga paraburgimi i Durrësit, pas arrestimit në vitin 2006. Arratia e djeshme ka nisur në kohën kur tre shqiptarët u bënë bashkë në oborrin e burgut dhe më pas shfrytëzuan momentin për të dalë jashtë. Pasi kanë dalë nga burgu ata kanë ecur në këmbë në drejtim të Aleksandrisë dhe më pas, në një rrugë kryesore, kanë ndaluar një grua, e cila po drejtonte automjetin e saj. Pasi kanë grabitur makinën, tre shqiptarët janë zhdukur pa gjurmë, ndërkohë që policia italiane ka ngritur postblloqe të shumta në të gjithë zonën, me qëllim kapjen e tyre.
Vrasësi me pagesë
Dritan Rexhepaj, njëri nga tre personat e arratisur dje nga burgu në Itali, është personazh mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2006 Dritan Rexhepaj u arrestua në Tiranë nga forcat speciale të policisë, RENEA. Në Shqipëri Dritan Rexhepaj ishte akuzuar për vrasjen e dy efektivave të policisë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, të ekzekutuar me armë në Fushë-Krujë më 27 gusht 1999. Dosja kishte mbetur për shumë vite pa autor, derisa Prokuroria e Krimeve të Rënda e rihapi atë në vitin 2006. Pas arrestimit në Tiranë, Dritan Rexhepaj u dërgua, nën masa të forta sigurie, në paraburgimin e Durrësit, ku u arratis në mënyrë spektakolare ende pa kaluar 24 orë nga arrestimi i tij. Ndërkohë që kishte qenë në kërkim ai kishte fituar të drejtën e studimeve dhe kishte vazhduar frekuentimin e Fakultetit Juridik në Tiranë. Pas arratisjes nga paraburgimi i Durrësit, për shumë kohë Dritan Rexhepaj humbi gjurmët. Policia shqiptare caktoi një milionë lekë për ata që ofronin informacion për kapjen e tij, ndërsa në vitin 2008 Dritan Rexhepaj u arrestua në Holandë. Ai ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Antimafies së Venecias, me akuzën e trafikut të drogës në Itali. Pas arrestimit në Holandë ai u ekstradua në Itali, ku mbahej në burgun nga i cili u arratis ditën e djeshme.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënim me burg përjetë për Rexhepajn në gjyqin e zhvilluar në mungesë të tij, ku Akuza e ka cilësuar si “vrasës me pagesë”. Dosja penale është ndarë në gjykatë për shkak se i pandehuri tjetër i akuzuar për vrasjen e policëve ka qenë i pranishëm në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura