Arratiset i dënuari, e ëma: Iku me makinën e një shoku

Dec 21, 2011 | 13:12
Drita Baku, nëna e Lulzim Pajës

Një i dënuar në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit ka thyer lejen e dhënë nga drejtoria duke mos u kthyer më në qeli. Lulzim Paja, 37 vjeç, me banim në fshatin Shtërmen të rrethit të Elbasanit, pritej të kthehej pasditen e së dielës, por kjo nuk ka ndodhur. Policia ka shkuar në banesën e Pajës, ku edhe është verifikuar që 37-vjeçari ka qenë në banesë gjatë tri ditëve të lejes, e më pas është larguar. Policia ka nisur kërkimet për të gjetur të dënuarin, i cili kishte 15 vjet që kryente dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit, për veprën penale të “arratisjes nga burgu”. Mësohet se atij i kishin ngelur dhe dy vjet burg për të kryer, pasi gjykata e kishte dënuar me 17 vite. Në vitin 1997, Lulzim Paja ishte akuzuar për vrasjen aksidentale të një 23-vjeçari në qytet, ku pas hetimeve rezultoi se nuk ishte ky autori i vrasjes. Historinë e jetës dhe dënimit të Pajës e tregon nëna e tij, Drita Baku, në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Sa kohë keni që e keni parë djalin tuaj?
Ditën e diel në drekë ai erdhi tek unë, dhe pasi mori të gjitha rrobat që ia kisha larë dhe hekurosur, më tha se do të shkonte për drekë tek xhaxhai i tij në Cërrik, dhe do ta përcillte për në burg shoku i tij, emrin e të cilit nuk e di.
Për çfarë ka qenë i dënuar djali juaj?
Ne kemi jetuar në Elbasan dikur dhe Lulzimi jetonte me babanë e tij, pasi mbas divorcit kujdestarinë e djalit që në moshën 6-vjeçare e mori babai, i cili tashmë ka vdekur. Në vitin 1997, Lulzimi bashkë me disa shokë të tij po shtinin me pistoletë brenda oborrit të gjimnazit “Dhaskal Todri” në një mur, dhe plumbi bën rikoshetë dhe qëllon një djalë të ri 23-vjeçar, i cili ecte në rrugë. Që nga ajo ditë Lulzimi u arrestua nga Policia, dhe u transferua për në Burgun e Sigurisë së Lartë në Tiranë.
A e pranoi Lulzimi krimin?
Gjithnjë gjatë seancave gjyqësore Lulzimi thoshte se ishte i pafajshëm, por nuk donte të qëndronte në burg, pasi e kishte mendjen jashtë tek e dashura e tij. Kjo e shtyu që mbas 7 muajsh, Lulzimi kaloi muret e fushës së ajrosjes nga Burgu i Tiranës dhe u arratis. Këtë akt e kreu vetëm dy muaj para se gjykata ta shpallte të pafajshëm, pasi nuk ishte pistoleta e Lulzimit që e kishte vrarë 23-vjeçarin.
Kur u arrestua Lulzimi pas arratisjes?
Vetëm disa muaj më vonë, Policia e arrestoi Lulzimin në llixha, aty ku qëndronte i fshehur dhe më pas gjykata e dënoi me 17 vjet burg për arratisje nga burgu i Sigurisë së Lartë, një dënim i lartë ky, por që Lulzimi po e kryente atë konform rregullave, pasi edhe në ambientet e Burgut të Peqinit, ku qëndronte për më shumë se 8 vjet, ishte i sjellshëm me të gjithë.
A kishte ndryshuar sjellja e Lulzimit gjatë këtyre viteve?
Jo, gjithnjë ka qenë i qetë, dy vitet e fundit për sjellje të mirë Drejtoria e Burgut i kishte dhënë edhe leje, si këtë vit, ku qëndroi tri ditë e, më pas, nuk e di se çfarë e ka shtyrë që të mos shkonte në qeli, por të arratisej.
Si ishin marrëdhëniet tuaja me të?
Lulzimin e ka rritur babai bashkë me njerkën, unë kam qenë në Itali prej vitesh tek fëmijët, dhe e kam ndihmuar shumë atë në burg. Ky ka qenë edhe qëllimi që shita shtëpinë në Elbasan dhe erdha të jetoj tek banesa e vëllait tim, këtu në Shtërmen. Ato ditë që ishte me leje, Lulzimi shëtiste me një mjet tip “Fiat” Uno, me targa shqiptare, dhe kur e pyeta se e kujt ishte kjo makinë, ai m’u përgjigj: e një shokut tim.
Mendoni ndonjë gjë të keqe për djalin tuaj? Ndonjë hasmëri?
Nuk e besoj, se djali im është zhdukur për një motiv të tillë, pasi ai doli i pafajshëm para 15 vjetësh dhe nuk kemi pasur probleme me familjen e djalit 23-vjeçar që vdiq në vitin 1997-n.
Do t’i thosha Lulzimit që të kthehej në qeli përpara se të kalojnë sërish 24 orë të tjera, pasi është në dëm të tij. Ka rreth dy vjet burg për të bërë dhe është mirë që ta mbarojë dënimin e të krijojë edhe ai një familje, pasi që në moshën 21-vjeçare jeta është treguar e egër me të.
Çfarë ju ka treguar Lulzimi rreth jetës në burg?
Ka kaluar një jetë të vështirë, pasi edhe në burg është “keqtrajtuar”. Ai ishte vetëm 21 vjeç kur u arratis nga burgu, dhe në qeli kishte shokë që kishin kryer krime të rënda, mes tyre edhe Zan Çaushi. Që në vogëli është lënduar psikologjikisht, dhe më vjen keq për këtë, pasi Lulzimi është njeri i qetë, i kuptueshëm. I lutem të kthehet dhe të kryejë dënimin që i ka mbetur, të mos i shtohen më vite në burg.

2 vjet
burg i kishin mbetur 37-vjeçarit Lulzim Paja për të kryer deri në dënimin e tij të plotë, por në rrethana misterioze ai nuk është kthyer më në qeli

Policia shpall në kërkim 37-vjeçarin
Nga ana tjetër, drejtori i Sigurisë së Lartë të Burgut të Peqinit, Dashamir Xhika, nuk jep shumë detaje rreth mosparaqitjes në burg të të dënuarit. “Në momentin që kaloi një orë pas mbërritjes së tij në burg, ne e denoncuam rastin në Polici, dhe tashmë presim që Policia të veprojë në lidhje me kapjen e të dënuarit. Gjithashtu ky rast është edhe në kompetencë të Prokurorisë, ndërsa një lajmërim kemi bërë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pasi është hera e parë që një i dënuar thyen lejen e dhënë nga ana jonë”. Tashmë Policia ka vendosur postblloqe në të gjithë zonën ku ka qarkulluar 37-vjeçari gjatë kohës që ka qenë me leje. Sipas nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit, Rezar Velmishi, për shpalljen në kërkim të 37-vjeçarit janë lajmëruar doganat, si edhe komisariatet e Policive në rrethe, me qëllim kapjen sa më parë të tij. Mësohet se në rast se Lulzim Paja dorëzohet, ndaj tij do të ketë masa të lehta dënimi. Në rast të kundërt, atij do t’i shtohen edhe dy vjet të tjera burg.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura