Armando Vajushi, provë tek Hamburgu

May 6, 2011 | 11:44

Një nga talentet e Vllaznisë, i cili ka mbajtur peshën më të madhe në sulm dhe njëherësh ka luajtur numrin më të madh të takimeve, Armando Vajushi me gjasa mund të mos jetë pjesë e kuqebluve për sezonin e ardhshëm. Mësohet se lojtari do të udhëtojë në drejtim të Gjermanisë, me destinacion Hamburgun për të kaluar një periudhë testi. Më datë 1 qershor, futbollisti, presidenti Valter Fushaj, trajneri i dytë i Vllaznisë dhe një nga njohësit më të mirë të këtij lojtari, Elvis Plori, si dhe ish-tekniku malazez i kuqebluve, Mojash Radonjiç priten të jenë në Gjermani për të testuar dhe për të shikuar nga afër provën që ky lojtar do bëjë. Vajushi ka qenë një nga lojtarët e ri më të mirë për Vllazninë gjatë 2010-2011, kjo edhe për meritë të malazezit Radonjiç, i cili pati dhënë besim të plotë që në nisje të këtij sezoni. Por, edhe pas largimit të teknikut, Vajushi arriti të mbajë vendin e titullarit, duke konkurruar as më shumë e as më pak sesa me Sinanin dhe Sukajn. Lojtari ka bërë një figurë të mirë edhe në takimin e fundit ndaj Flamurtarit. Në këtë kontekst, drejtuesit e klubit kuqeblu vazhdojnë me sukses evidentimin e elementit të ri, duke u dhënë mundësinë shumë lojtarëve për të shfaqur talentin e tyre dhe në momentin e duhur për t’u larguar në kampionatet më të forta. Vajushi nuk është i pari dhe natyrisht as edhe i fundit që po mirë menaxhohet nga drejtuesit, për të qenë një prej të dëshiruarve të klubeve europiane në merkaton e verës.

© Panorama.al

Te lidhura