
Pas sinjalit të Policisë shqiptare, në SHBA u dërguan vetëm 2 pistoleta
Policia Shkencore shqiptare identifikoi gëzhojat, por tyta e “Beretës” nuk përputhej
Pistoleta e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, ka qenë e skeduar që nga marsi i vitit të kaluar (2011) si armë që ka qëlluar me plumba luftarakë më 21 janar 2011. Ndonëse Prokuroria u vu në lëvizje në janar 2012, pas ekspertizës së FBI-së, duke ngritur akuzë për vrasje ndaj Ndrea Prendit, “shkëndija” e parë për armën e gjeneralit ishte dhënë që në Laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë. Bazuar në ekspertizën e kryer mbi disa gëzhoja të marra brenda rrethimit të Kryeministrisë, Laboratori i Policisë Shkencore në Tiranë theksonte se arma kishte rezultuar pozitive. Misteri dhe anomalia që nuk u kapërcye dot në Laboratorin e Tiranës ishte mospërputhja e kësaj arme me predhat, ndërkohë që e njëjta përputhej me gëzhojat. Policia Shkencore sugjeronte se arma me numër P52796Z (e Ndrea Prendit) kishte qëlluar në vendngjarje, por asgjë më shumë se kaq nuk bëhej e ditur. Policia Shkencore, në përgjigjen ndaj Prokurorisë, shprehej se “me mundësitë, kapacitetet dhe mjetet në dispozicion, kaq arritëm të përcaktonim”. Ky mister është zgjidhur pas marsit 2011, kur Prokuroria vendosi të dërgojë në SHBA për ekspertizë predhat dhe dy pistoleta, atë të Ndrea Prendit dhe të shoferit të tij, Margarit Kume. Dy armët u zgjodhën pikërisht për shkak të anomalisë së konstatuar nga ekspertiza në Tiranë. FBI-ja zbuloi se tyta që ndodhej tani në armën e Margarit Kumes, në fakt ka qenë në pistoletën e kreut të Gardës dhe ka kryer qitjen që vrau Faik Myrtajn dhe qitjet që kanë përfunduar në zyrat e UNHCR-së, përballë Kryeministrisë. Aktualisht komandanti i Gardës akuzohet se pasi ka vrarë Faik Myrtajn, ka ndërruar tytën e armës me Margarit Kumen, me qëllimin për të fshehur të vërtetën.
Provat
“Në vendin e ngjarjes u gjetën 11 gëzhoja që ishin qitur nga pistoleta me numër P52796Z, në përdorim të personit në hetim, shtetasi Ndrea Prendi. Kjo tregon se personi në hetim, shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë me pistoletën me numër P52796Z, që është armatimi i tij personal. Ky person, gjatë deklarimeve të dhëna prej tij me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se jo vetëm që nuk ka qëlluar asnjëherë, por në momentin që ka dëgjuar të shtënat ai ndodhej brenda në ndërtesë, pasi ishte dëmtuar nga goditja e një pllake guri”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, predha e gjetur në pemën dekorative, predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, e shënuar me “Q3” në përshkrimet e dosjes penale, si dhe tri predhat e gjetura në zyrat e UNHCR-së janë qitur nga tyta e ndodhur në pistoletën me nr. P52778Z, e cila është armatim personal i shtetasit Margarit Kume. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29 janar 2011 në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë vetëm me një përmasë të shprehur, 9 mm, e cila është përshkruar në procesverbalin përkatës. Sipas Prokurorisë, në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i dytë, zyra nr. 7, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm dhe gjatësi 12.5 mm. Në të njëjtën ndërtesë, te kati i tretë, zyra nr. 12, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm dhe te zyra nr. 12 u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm. Në objektin e Kryeministrisë, në anën veriperëndimore të saj, pikërisht në derën metalike të hyrjes së automjeteve, brenda profilit metalik të derës u gjetën dy copa metalike me përmasa të çrregullta”, thekson Prokuroria. Sipas saj, në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).
Dyshimet për armën e Ndrea Prendit
Prokuroria: Aleks Nika u vra kur ndodhej pranë Faik Myrtajt
Prokuroria ka dyshime se arma e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, mund të ketë vrarë, përveç Faik Myrtajt, edhe shtetasin Aleks Nika nga Lezha. “Në trupin e viktimës Faik Myrtaj u gjet një predhë arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt, me formë cilindrike, me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gramë. Në kokën e viktimës Aleks Nika u gjet një predhë arme zjarri e deformuar, kalibër 9 mm, me gjatësi të plotë 11.5 dhe gjerësi në njërin drejtim 8 mm dhe në drejtimin tjetër 11 mm. Në momentin që është qëlluar viktima ndodhej afër vendit ku ndodhej edhe Faik Myrtaj”, ka theksuar Prokuroria, duke lënë të kuptohet se teksa ndodheshin pranë njëri-tjetrit, dy viktimat mund të jenë qëlluar nga e njëjta armë.
Pas 21 janarit: Armët e Gardës, dy sekuestrime në janar-mars
TIRANE – Dy herë radhazi Prokuroria ka sekuestruar armë të ndryshme në Gardën e Republikës. Menjëherë pas ngjarjes së 21 janarit, Prokuroria sekuestroi pranë Gardës një numër armësh zjarri duke u përqendruar tek automatikët “MP-5”. Pasi u bllokuan këto armë (rreth 50 automatikë) dhe u mbajtën disa ditë në Prokurori, ato u dërguan për ekspertim. Njëra prej tyre, automatiku i Agim Llupos, rezultoi se kishte qëlluar Ziver Veizin, ndërsa armët e tjera dolën negative. Në këto rrethana, Prokuroria sekuestroi dhe një sasi tjetër armësh pranë Gardës së Republikës, kësaj radhe duke përfshirë edhe pistoletat. Ekspertimi i tyre krijoi dyshime për Ndrea Prendin, ndërsa arma e tij, së bashku me atë të shoferit, u dërguan në SHBA.
Ndrea Prendi si në “bunker”, civilë e specialë në mbrojtje
Ish-komandanti i Gardës izolohet në katin e katërt
Irritohen banorët përreth Gardës: Prej ditësh jemi si në shtetrrethim, ndihemi të spiunuar

Vetëm gjashtë janë të dukshëm. Përveç këtyre, që i sheh me uniformat e FNSH-së apo të Komisariatit Nr. 2, policët e tjerë nuk i kupton se nga vijnë e nga “mbijnë”.
Nga të shohin prej së largu dhe të bëjnë barrikadë trupash nga afër, në hyrjen kryesore të pallatit të Ndrea Prendit, ish-komandantit të Gardës së Shqipërisë, që ndodhet vetëm pak metra larg këtij institucioni. Brenda pak çastesh, çdo tentativë për të shkuar drejt apartamentit të tij, në katin e katërt, ngel maksimumi një kat më poshtë. Edhe deri aty, me “100 fjalët” e një fjalie të vetme të efektivëve të turnit: “Nuk mund të afrohet asnjeri te apartamenti pa marrë leje nga Prokuroria. Qofshin edhe të afërm”. E përsërisin disa herë, duke kërkuar me mirësjellje largimin. E pas mirësjelljes operohet me sjellje të tjera; jo edhe aq të mira kësaj here. Urdhër nga forcat e rendit për t’u larguar menjëherë nga brenda pallatit, por edhe disa metra larg tij. Për të realizuar ndonjë fotografi nuk kishte mënyrë negocimi. Kërkon leje, nuk të lënë. I bën vetë, nuk thonë gjë. Sigurisht, sepse as panë gjë! Dhe, kur shohin efektivët, të thonë që të ikësh më larg pallatit. Por sa më larg pallatit ikën, akoma më larg të sugjerojnë të shkosh. Nuk janë asnjëherë të kënaqur, derisa mos të të shohin më vërdallë. Kënaqësi që nuk e mori dot nga ne, të paktën turni i parë…
“Blindimi”
Shtëpia e gjeneral Ndrea Prendit ndodhet rreth 20 metra, djathtas hyrjes kryesore që të çon drejt Liqenit Artificial dhe Gardës së Shqipërisë. Pallati nuk kuptohet nëse është ngjyrë gri i dalë boje, apo i bardhë i shndërruar kështu prej smogut. Është parafabrikat nga ato të ndërtuar në kohën e monizmit, me gjashtë kate, ku në të katërtin jeton ish-komandanti i Gardës, i cili prej 5 ditësh ndodhet në masën e gjykatës “arrest shtëpie”. Masë ndryshe nga ç’kishte kërkuar Prokuroria, “arrest me burg”. Sipas organit të akuzës, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011 përpara Kryeministrisë. E deri në një vendim tjetër, ish-komandanti do të vijojë të jetojë i izoluar brenda katër mureve të apartamentit. Nga jashtë, sërish të jep të njëjtën ide izolimi. Përshtypje që ta konfirmojnë banorët përreth pallatit. “Prej 4 ditësh nuk i kanë ngritur grilat e dritareve dhe ballkonit. Më parë i mbanin gjithnjë hapur, edhe natën”, thotë një fqinjë rreth të 70-ave, që siç duket e ka emrin Gjyle. “Nënë Gjyle, nuk ka ç’të duhet ty me të tjerët. Nuk i njeh ti siç i njoh unë. Janë rob t’mirë”, i tërheq vëmendjen shitësi i fruta-perimeve aty pranë teksa ka dëgjuar bisedën tonë. Por e moshuara këmbëngul që i duhet, dhe shumë madje. “Si nuk më duhet mua? Nuk po hyjmë dot nëpër shtëpitë tona, se na pyesin se ku shkojmë dhe na kërkojnë dokumente identifikimi. Benin tim (nipi) e kishin kontrolluar dy policë dhe nuk e lanë të ngjitet në shtëpi derisa i çuam kartën e identitetit. Ta ruajnë atë, po ne të tjerëve të na lënë rehat. Ç’taksirat kemi ne të lajmë haqet e të tjerëve?!”, thotë e acaruar fqinja. Shitësi nuk bie dakord me të dhe kjo e nervozon edhe më tepër gruan. Në bisedë hyn edhe blerësi i radhës, një burrë rreth të 40-ave. Sapo vë këmbën në dyqan, që të tre kundërshtojnë njëri-tjetrin: shitësi thotë se “Ndre(ka) është burrë i mirë e familje e nderuar”; nënë Gjylja ia pret që “ta kishin lënë në burg se i doli kaseta që vrau”; i treti ndërpret herë njërin e herë tjetrin duke këmbëngulur se “nuk ka shtet këtu”. Si përfundim, bien dakord që policët që e ruajnë atë po i bezdisin këto ditë dhe të dy klientët largohen me buzëqeshje. E po kaq i qeshur mbetet edhe shitësi, që bëri pazar të mirë dhe jo vetëm…
Familja
Familjen Prendi e quajnë të vonshme në këtë lagje, por varet se kush ta thotë. Të vonshëm, për banorët autoktonë të pallatit; të hershëm për ata që kanë shkuar vitet e fundit aty. Atë që prej 21 janarit 2011 publikisht e njohim si Ndrea Prendi, për disa nga banorët e lagjes është Andrea e për të tjerë Ndre apo Ndreka. Siç rrëfejnë ata nëpër copëza bisedash të shkëputura, herë prej nxitimit të punëve e herë prej hijes psikologjike të policëve përreth, ish-komandanti i Gardës është babai i dy fëmijëve, vajzë dhe djalë. Vajza, që është edhe më e madhja, ka mbaruar për Juridik dhe flitet se punon në Përmbarim. Për djalin, fqinjët nuk dinë shumë rreth tij, veç e identifikojnë si “tip të qetë, si i ri që është”. Aktualisht, që nga dita e vendimit “arrest shtëpie” të Gjykatës së Tiranës, duket se anëtarët e familjes Prendi kanë kufizuar daljet nga shtëpia, ose edhe mund të jenë transferuar diku tjetër. Fqinjët thonë që nuk i kanë parë më nëpër shkallë, ndërsa në bisedën e shkurtër me efektivët e policisë u la të kuptohej që ata nuk ishin aty. Për disa orë gjatë ditës së djeshme askush nuk u pa të hynte e dilte nga apartamenti i familjes Prendi. Vizitorët e vetëm ishin forcat e rendit, sipas turneve. Grilat e dritareve dhe të ballkonit, ashtu siç treguan edhe fqinjët, nuk u hapën asnjë moment. Pas gjithë këtij rrethimi nga jashtë, nga brenda na u sigurua 100 për qind se është vetëm një njeri: Ndrea Prendi. Dhe ne ju sigurojmë: Nëse është brenda, po jeton si në “bunker”!
Paniku
Në datën 24 janar 2012, nga aktet e paraqitura nga Prokuroria, u vlerësua se ato nuk formojnë një dyshim të bazuar në prova ligjore e të marra sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale, për faktin që personi në hetim, Ndrea Prendi, më datë 21.01.2011 ka përdorur pistoletën nr. P52796Z. Gjykata, nisur nga rëndësia e faktit, çmoi se për një hetim të plotë të kësaj çështjeje nevojitet që të caktohet masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale. Pas këtij vendimi, nuk është e nevojshme të theksojmë se Ndrea Prendi nuk është i vetmi në Shqipëri që ka marrë një masë arresti shtëpiak nga Gjykata, por blindimi i apartamentit të tij mund të thuhet pa frikë se është i vetmi në llojin e tij. Edhe i vetmi, dhe më i forti sesa i dy të akuzuarve të tjerë për të njëjtën ngjarje: Margarit Kume, shoferi i Prendit dhe Armando Kasa, IT-ja i Kryeministrisë. Shtëpitë e tyre ruhen njësoj për nga procedura, por jo për nga numri i policëve. Mjafton një kalim i thjeshtë pranë pallatit të familjes Prendi për të nuhatur nervozizmin jo vetëm të banorëve për prezencën e madhe të forcave të rendit, por edhe të vetë efektivëve ndaj qytetarëve të rastësishëm. Çdo person që kalonte, shihej me dyshim. Njerëz të thjeshtë që zhbironin për policë civilë dhe policë që “nuhasnin për atentatorë”. Një lojë dyshimesh që të parët e bënin nga bezdisja apo kurioziteti, ndërsa të dytët për vendin e punës dhe rrogën. Mbase do të ishte më e thjeshtë që secila palë të kërkonte mirëkuptim dhe bashkëpunim. Së bashku quhemi komunitet. Dhe në rastin e Prendit, komunitet nuk kishte…
Faqja zyrtare
Vendimi për lirimin nga detyra të komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, u dha vetëm pak orë pasi Prokuroria lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij. Kryeministri Sali Berisha firmosi shkarkimin e tij, por ndërkohë ai vijonte të rezultonte si komandant në faqen zyrtare të Gardës. Dje, emri i Ndrea Prendit ishte fshirë nga sajti online i Gardës dhe në vend të tij ishte vënë Artan Hoxha (në detyrë); komandanti që u ngarkua për postin e ri paralelisht me shkarkimin e tij.Pa vizita
Pas shumë këmbënguljesh, njëri nga banorët e pallatit të ish-komandantit të Gardës së Shqipërisë pranoi të shkojë të flasë me fqinjin e tij. Qëllimi ishte për të negociuar rreth ndonjë bisede të mundshme tonën me Ndrea Prendin me anë të telefonit celular. Megjithatë, fqinji nuk u lejua të ngjitej te kati i katërt dhe ashtu si në rastin tonë, iu kërkua që të marrë leje të posaçme për vizitë nga prokurori i çështjes, në rast se dëshiron të hyjë brenda. Madje, ai u paralajmërua të mos tentonte herë të tjera për vizitë sa kohë do t’i shikonte aty efektivët e policisë.Telefonat
Ish-komandanti i Gardës duket se ka kufizuar përdorimin e telefonit. Të dy numrat e celularëve që përdorte më parë i rezultojnë të fikur dhe rrugët e komunikimit me të janë bërë thuajse të pamundura për shkak të forcave të rendit që e ruajnë 24 orë në 24. Ndrea Prendi, i pezulluar aktualisht nga detyra, gjatë dëshmisë së tij në Prokurori në fillim të kësaj jave, ka pohuar se ka shtënë me armë në ajër duke hedhur poshtë akuzat se ka qëlluar në drejtim të turmës së protestuesve të opozitës. Një vit më parë ai kishte mohuar të kishte qëlluar me armë.
TRAZHGIM SOKOLAJ & ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











