Arlinda Dudaj: Libra për të gjithë, kuruar me dashuri

Jan 29, 2012 | 13:05

Në njërën nga qoshet e katit të dytë të qendrës tregtare TEG, ishin parë prej ditësh njerëz që hynin, qëndronin gjatë, e dilnin. Domosdo që e para që do t’ju shkojë ndër mend është një kafene. Jo! Është stacioni më i ri i librit. Madje, nga ata ku ulesh e shpreson gjatë që treni të vonojë edhe ca. Po, sepse të duhet të shohësh me radhë vitrinat ku ekspozohen tituj pafund librash. E nëse kohën e ke me pashë, mund të ulesh edhe të shfletosh, ashtu vrapimthi, sa për të ngopur kureshtjen. Dy ditë më parë, ky stacion u popullua më shumë se më parë. U përurua zyrtarisht libraria “Bookstore”. Nderin e fjalës së hapjes në këtë promovim e kishte përkthyesi i mirënjohur Amik Kasoruho, njëkohësisht, përkthyes i librit më të ri të shtëpisë botuese “Dudaj”, “Ai që nuk dinte të dashuronte”. Prandaj, ndër të ftuar të tjerë të ekranit nuk ishte e rastësishme që zgjodhëm pikërisht Arlinda Dudajn për të na folur rreth kësaj “shtëpie” të re, ku librat e saj, e padyshim dhe e të gjithë të tjerëve, gjetën një tjetër mbështesë për t’u ekspozuar.
Përkthyesi i librit “Ai që nuk dinte të dashuronte”, Amik Kasoruho, pati rastin e fjalës hapëse në promovimin e “Bookstore”, duke përfaqësuar deri diku botimet “Dudaj”. A do të thotë kjo që botimet tuaja do të zënë një vend të veçantë në këtë “shtëpi libri”?
Ishte, besoj, një nder për librarinë “Bookstore” të merrte bekimin nga një përkthyes i mirënjohur si Amik Kasoruho, pra kjo zgjedhje u bë jo vetëm pse ai është një bashkëpunëtor i çmueshëm i imi, që sapo ka përuruar punën e tij me librin e sapodalë të Harold Robbins, “Ai që nuk dinte të dashuronte”. Ky është një libër i mrekullueshëm, frymëzuar nga jeta e të famshmit Howard Hues. Menduam gjithashtu se përurimi i një libri i shkon mrekullisht përurimit të një librarie, e cila në fund të fundit ka si qëllim ta afrojë sa më shumë lexuesin e çdo moshe te libri. Shtëpia jonë botuese do të ketë çdo libër të saj brenda kësaj shtëpie libri, e cila fatmirësisht na i ka hapur dyert dhe ofron mjaftueshmërisht mjedis përfaqësimi dhe një paraqitje dinjitoze të librit, ashtu siç në fund të fundit e meriton. Por dua të theksoj gjithashtu se të gjitha shtëpitë botuese mund ta kenë vendin për librat e tyre. Në këtë botë, edhe pse s’duket, ka vend për të gjithë.
Në intervista të mëparshme, menaxheri i “Bookstore” ka pohuar se librat e “Dudaj” kryesojnë listën e titujve më të shitur. Krahasimisht me libraritë e tjera, ju bëni diferencim?
Qëndrojmë në krye të shitjeve? Ky është vërtet një lajm i mirë, po sigurisht e ka një arsye. Shtëpia botuese “Dudaj” rendit emrat më të mirë të letërsisë botërore, të cilët janë të lakmueshëm për cilindo lexues.
Cilët janë titujt më të preferuar aktualisht, që mbajnë vulën e shtëpisë suaj botuese?
Kemi librin “Kurban” nga Edi Rama, i cili gjithashtu shënon rekord shitjesh, Stieg Larsson me trilogjinë “Millenium”, Jose Saramago, Roberto Saviano, Dan Brown, Rhonda Byrne, Fabio Volo, Muriel Barbery, letërsinë më të mirë për fëmijë, libra eseistikë e akademikë. Pak a shumë gjithkush i gjen një libër vetes, një libër kuruar me dashuri deri në detajin më të hollë.
Ç’të reja do të  presim në vazhdim?
Përveç atyre që sapo kanë dalë, si “I vetmuari”, “Eleganca e Iriqit” dhe “Vejushat e së enjtes”, pritet të dalë “Magjistrica e Firences”, nga Salman Rushdie dhe një libër shumë i rëndësishëm i shkrimtarit të mirënjohur hebre David Grossma, “Gruaja që i arratisej lajmit të keq” e gjithashtu, “Në det ka krokodilë” nga Fabio Geda. Do të kemi një libër të ri nga Brunilda Zllami etj.  Siç e shikoni, është një listë e gjatë dhe shumë e shëndetshme.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura