Arlind Ajeti lë pas dëmtimin, gati debutimi me Torinon

Oct 11, 2016 | 14:24

Nga Italia vijnë lajme të mira për Arlind Ajetin, i cili është gati të zbresë në fushë. Qendërmbrojtësi shqiptar e ka lënë pas dëmtimin dhe prej disa ditësh është stërvitur me grupin. Misioni i radhës për 23-vjeçarin është që ta bindë trajnerin Sinisha Mihajloviç për t’i besuar vendin e titullarit.

Ajeti Torino stervitje

Ish-lojtari i Bazelit qe afrimi i parë te Torino gjatë afatit kalimtar të verës, por ende nuk ka debutuar zyrtarisht edhe pse shkëlqeu në miqësoret përgatitore. Një dëmtim i dyfishtë në pulpën e djathtë që pësoi në gusht, pak ditë para fillimit të kampionatit, e la mbrojtësin kuqezi rreth dy muaj jashtë fushave të lojës.

Ajeti i mungoi edhe Kombëtares për tri ndeshjet e para kualifikuese të Botërorit 2018, por me dëmtimin e lënë pas ai pritet të jetë në dispozicion të De Biazit për takimin e 12 nëntorit kundër Izraelit.

Ajeti Torino

Por ndërkohë që po punon për të fituar një vend titullari te Torino, nuk kanë të ndalur zërat e merkatos rreth futbollistit shqiptar. Sipas mediave italiane, Peskara vazhdon të këmbëngulë për ta afruar Ajetin në janar. Trajneri Masimo Odo e pëlqen 23-vjecarin dhe është gati ta rrëmbejë nëse nuk gjen hapësira te skuadra “Granata”. Nëse transferohet në “Adriatiko”, Arlind Ajeti do të bëhej shqiptari i katërt pas kapitenit Ledian Memushaj, sulmuesit Rei Manaj dhe mbrojtësit Leonardo Maloku.

 

© Panorama.al

Te lidhura