Arben Shehi, një roman ankthi për diktaturën

Dec 5, 2011 | 13:22

Ziliqarët presin gjithnjë pas derës të të vënë shkopinj nën rrota. Kështu ka ndodhur në çdo kohë. Por në kohët e frikës së madhe, një fjalë e thënë nën buzë mund të merrte përmasa tragjike. Mjaftonte një emër, apo një germë e shtrembëruar, që gjithçka të përmbysej. “Gryka e pusit”, roman i shkrimtarit Arben Shehi, është një copëz dëshmie nga vitet e ankthshme të diktaturës, nga netët pa gjumë të intelektualëve në kërkim të pse-ve që nuk merrnin kurrë përgjigje, apo në pritje të mandatës. Shkrimtari Besnik Mustafaj e quan “Grykën e pusit” një “roman kafkian”. Duke i qëndruar kësaj linje të Mustafajt, “Gryka e pusit” mund të quhet edhe si “romani i ankthit”. Nga faqja e parë e deri afër fundit, lexuesi nuk është aspak i qetë. Kalon faqe pas faqesh me shpresën për të mësuar më shumë rreth çështjes-mister qe e mundon personazhin kryesor të romanit, Argent Boksi. Romani është ndërtuar në mënyrë të tillë që lexuesi të ndriçohet mbi ngjarjen, njëkohësisht me vetë personazhin. Faqe pas faqesh, autori jep nga një të dhënë, ndonjë detaj, që e bën lexuesin edhe më kureshtar rreth asaj që ka ndodhur apo pritet të ndodhë. Argent Boksi është një arkitekt, punonjës pranë Institutit të Projektimit, që sipas autorit i ngjan më shumë një spitali psikiatrik. Projekti i tij për muzeun e Burrelit është vënë në qendër të thashethemnajës. Menjëherë të shkon mendja se mund të bëhej fjalë për ndonjë sabotim, apo në ndonjë problem që ka dalë pas ndërtimit. Por nuk është kështu. Lexuesi do ta marrë vesh nga mesi i romanit se bëhet fjalë për një çmim që kjo godinë ka marrë në një revistë arkitekturore në Skoci. Si ishte e mundur që gazetarët e huaj të ishin në dijeni të projektit, kush e kishte publikuar atë?? Vetëm në faqet e fundit do të zbardhet se i gjithë faji kish qenë i një germe. Nuk bëhej fjalë për Burrelin tonë, por për mbi mbiemrin e një filantropi me dy “l” (Burrell), emrin e të cilit kishte marrë edhe muzeu, godina e të cilit ishte shpallur edhe fituese. Por deri tek zbardhja e çështjes duhet të kalojnë ditë të tëra ankthi në pritje të thirrjes. Më parë do të duhet të bëhet një kalim në “institucionin” e thashethemit që është bar-bufeja, për të kaluar tek komisionet hetimore. Me profesion arkitekt, autori e ndërton romanin e tij si një vepër arkitekturore, që mbështetet mbi dy shtylla kryesore, apo dy linja, që është ajo e Argentit dhe e babait të tij, një artist që krijonte kukullat e karnavaleve dhe të fundit krijesë pati atë të ish-diktatorit. Këto dy linja vishen nga një galeri e pasur personazhesh, të gjithë të ndërtuar me linja të holla e të qarta, ku pamja e tyre e jashtme duket sikur është një lexim i karakterit të tyre (Djana, Rufi, Fred Ollaci, Aristidhi, Ylvija, Mirdash Xhixhia…). I gjithë romani pështillet edhe nga një tis erotik dhe deri në fund dashuria dhe vdekja, erosi dhe thanatosi i lënë vendin njëri-tjetrit. Kjo luftë e përjetshme, që në kohët e diktaturës merrte përmasa edhe më dramatike, intensifikon ndjesinë e ankthit dhe të tensionit, në të cilin të mban ky libër deri në fundin që vjen si një çlirim.

Krijimtaria poetike
Ndërsa “Gryka e pusit” ishte debutimi i parë në gjininë e romanit, në lëmin poetik Arben Shehi ka një krijimtari të konsoliduar tashmë. Ka botuar disa vëllime poetike, si “Pika e djersës” (1981), “Rikthim drejt gjërave që i kam dashur” (1996), “Gjysma e heshtjes” (2001) dhe në vitin 2009 “Kohë për askund”. Kjo përmbledhje, të cilën autori ia dedikon Shkodrës, qytetit të tij të lindjes, “që u lind nga liria e murosur e një gruaje, të tradhtuar nga të vetët, është përkthyer edhe në gjuhën frënge nga përkthyesi Edmond Tupja, “Un temps por nulle part”, botim i “Les editions Baudelaire”. Kjo përmbledhje pritet të botohet edhe në Itali e Austri.

© Panorama.al

Te lidhura