Aktivisti Arben Kola ka reaguar pas protestës së sotme para Parlementit, duke akuzuar mazhorancën se po përdor policinë kundër qytetarëve, ndërsa e cilësoi reagimin e tyre si një shenjë frike.
“Siç e patë edhe sot, qeveria e krimit, narkoshteti, me kryedjallin Edvin Ramoviç, ishin të tmerruar nga vezët dhe qytetarët shqiptarë. Parulla që i tmerroi më shumë ishte: ‘Ju me gaz, ne me vezë, Edi Rama nuk ka besë’”, deklaroi ai.
Aktivisti ironizoi reagimin e policisë ndaj protestuesve, për të cilët tha se “vrapin që bën policia ndaj protestuesve, sikur ta bënte ndaj Belinda Ballukut, Agasit apo grupeve që ne i kemi denoncuar, do të ishte gjëja më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Kola foli edhe për rastin e aktivistit Gent Progni, duke u shprehur se ndaj tij ka pasur kërcënime dhe tentativa sulmi me thikë, sipas tij, nga policë të lidhur me krimin.
Aktivisti Arben Kola: Siç e patë edhe sot, qeveria e krimit, narkoshteti, me kryedjallin Edvin Ramoviç, ishin të tmerruar nga vezët dhe qytetarët shqiptarë. Dhe parulla që i tmerroi më shumë ishte: “Ju me gaz, ne me vezë, Edi Rama nuk ka besë”.
Imagjinoni sikur të gjithë sa jeni sonte të ishit aty, policisë do t’i ishte futur tmerri. Vrapin që bën policia ndaj protestuesve, sikur ta bënte ndaj Belinda Ballukut, Agasit apo grupit të “Arubës”, si quhet ai në Amerikën Latine, do të ishte gjëja më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, si duket, këta horrat e kanë përgatitur policinë vetëm ndaj protestuesve.
Siç jeni vënë në dijeni, një ndër organizatorët e kësaj proteste, përveçse është kërcënuar me jetë, është edhe tentuar të theret. Ai është Gent Progni. Policia e shtetit, e vënë në shërbim të mafies së pushtetit, ka tentuar sot, përmes disa individëve të lidhur me policinë e bandave, që të therë Gent Prognin. Kjo tregon që këta gjakprishurit, tradhtarët, duan gjak me çdo kusht. Ne jemi të vendosur ta mbajmë këtë revolucion pa gjak.
Prandaj ata po mundohen me çdo mjet të sulmojnë aktivistët, protestuesit, përmes shantazheve, mafies e të tjerë, por nuk do ia dalin. E kemi thënë edhe herë të tjera, sikur disa nga fytyrat që jemi këtu të mos ekzistojnë, të vriten, ju duhet ta vazhdoni këtë revolucion deri në rrëzimin e kësaj palo qeverie. Nuk mund të lejojmë shitjen e Shqipërisë, nuk i dorëzohet Shqipëria tradhtarëve. Shqipëria do të lirohet njëherë e mirë nga klika komuniste bolshevike e Tiranës. Poshtë sistemi, poshtë mafia, rroftë Shqipëria!
Ajo që nisi si “Revolucioni i Flamingove”, që na tregoi se sa mirë është të jemi bashkë, u kthye në revolucionin e shqiponjave, që tregon se është vetëm në lartësi ku mund të fluturojë. Të bëhemi bashkë dhe t’i shporrim këta tradhtarët.
Shqipëria nuk është tokë pa zot. Ka djem, vajza, burra e gra dhe ju e keni treguar në përballjen me policinë e krimit, me domate dhe vezë. Këta janë të tmerruar nga domatet e vezët, nga shqiptarët e mirë që dalin para tyre. Këta horra kanë menduar se çdo shqiptar është kriminel, servil, hajdut, por jo. Ka plot shqiptarë me dinjitet. Ndaj ne duhet ta shpëtojmë Shqipërinë, ta çlirojmë nga kthetrat e kësaj klike mafioze. Është detyrë e çdo shqiptari, e emigrantëve shqiptarë, që na mbështesin nga çdo vend i botës.
© Panorama.al











