Mbyllja e spektaklit “1001 pse” të shtunën e kaluar, e uli dhe vetë moderatoren Arbana Osmani përballë fëmijëve, për të shuar disa kureshti të tyre dhe të publikut rreth jetës së saj private. Ata e pyetën nëse ajo do të vishej ndonjëherë nuse, gjë për të cilën prezantuesja pohoi se asnjëherë nuk do ta bënte një gjë të tillë, pasi nuk i pëlqente që një ngjarje kaq private të jetës ta ndante me të tjerët. Ndërkohë që duke vazhduar pohimin e saj në lidhje me martesën, Arbana u tregoi fëmijëve të këtij show dhe gjithë publikut se kishte gjetur dashurinë e saj të vërtetë që para 10 vitesh, po aq vite sa ajo numëron martesë në jetën e saj. Ndërkaq, Arbana në mbyllje të kësaj eksperience të re televizive në “Top Channel”, ku për herë të parë punoi me fëmijët, pohoi se aq shumë i kishin pëlqyer ata, sa “i ka hyrë punës, për të sjellë sa më shpejt në jetë fëmijën e saj të parë”. Arbana Osmani për herë të parë ka pohuar për gazetën “Panorama” se nuk ishte në planet e saj një ceremoni martese me fustan të bardhë. Madje, kënaqësinë e të provuarit të një fustani nusërie ajo e shijoi në pasarelë, në sfilatën e nuseve që u organizua nga “Geraldina Sposa”. Statusi i prezantueses së njohur të “Big Brother” në “Top Channel” dhe programeve të tjera televizive është “e martuar” prej dhjetë vitesh me Arditin, djalin nga Tirana me profesion financier. Edhe pse ata kishin një lidhje disavjeçare bashkë, vetëm këto vitet e fundit historia e tyre u bë publike, pasi u fotografuan në festën e “Top Albania Radio”-s, që përkon me Ditën e Shën Valentimit dhe, po ashtu në ditëlindjen e saj, që Arbana preferon ta festojë çdo vit me kolegët e “Top Channel”. Në këto festa, paparacët arritën të fotografonin disa herë Arbanën me të dashurin e saj, 8 vite më të madh në moshë. Ndërkohë që pas mbylljes së spektaklit “1001 pse”, Arbana përgatitet të prezantojë “Big Brother 5”, që pritet të fillojë së shpejti në “Top Channel”.











