Apple iu bashkua një grupi të vogël kompanish, duke u bërë një nga të paktat në tregun global, që tejkaloi 4 trilionë dollarë në vlerë tregu, duke iu bashkuar gjigantëve të teknologjisë Nvidia dhe Microsoft, të cilat arritën të njëjtin moment historik në fillim të këtij viti.
Aksionet e Apple u rritën me 0.1% të martën, duke vazhduar ngritjen e tyre të fortë, të ndihmuara nga shitjet masive të iPhone 17 – madje edhe në Kinë, ku kompania ka zhgënjyer kohët e fundit.
Ky zhvillim shënon një përmbysje të pamjes që ishte krijuar më parë këtë vit, kur Apple u përball me tarifa të vendosura nga Presidenti Donald Trump, vonesa në projektet e inteligjencës artificiale dhe presion për të prodhuar në vend.
Kompania kishte humbur më shumë se 310 miliardë dollarë në kapitalizimin e tregut vetëm në një ditë tregtimi.
Rimëkëmbja e saj sot tregon se iPhone vazhdon të frymëzojë investitorët dhe konsumatorët, edhe nëse Apple po mbetet prapa në garën e inteligjencës artificiale. Megjithatë, aksionet e saj kanë fituar vetëm 7% këtë vit, shumë më poshtë rritjes prej 30.7% në vitin 2024 dhe nën rritjen prej 17% të tregut më të gjerë.
Rekordi i ri vjen në një vit të suksesshëm për aksionet e teknologjisë, pasi tërbimi rreth inteligjencës artificiale i ka çuar gjigantët e teknologjisë në nivele rekord.
Siç vëren CNN, fakti që Nvidia dhe Microsoft tejkaluan Apple me 4 trilion dollarë tregon se sa e rëndësishme është bërë inteligjenca artificiale për Wall Street.
Apple ka një traditë të thyerjes së rekordeve : në vitin 2018 u bë kompania e parë që arriti 1 trilion dollarë, në vitin 2020 arriti 2 trilionë dollarë dhe në janar 2022 tejkaloi 3 trilionë dollarë, një arritje që e “kapi” vetëm në qershor 2023.
© Panorama.al












