KORÇE – Zgjerohet gama e shërbimeve spitalore në Korçë pas instalimit të aparaturave të reja, si dhe rikthimit në funksion të atyre të cilat nuk përdoreshin. Gjatë muajit të fundit mësohet se janë instaluar apo rikthyer në funksionimin e tyre 8 aparatura të domosdoshme për ekzaminimet kryesore të qytetarëve, duke rritur kështu shifrën e shërbimeve mjekësore, pa qenë nevoja për t’iu drejtuar kryeqytetit apo edhe shteteve fqinje. Zgjidhja e vetme që kanë pasur qytetarët deri më tani, ka qenë ajo e kryerjes së analizave apo trajtimeve mjekësore, kryesisht në Tiranë apo edhe në Maqedoni, kundrejt një kostoje tepër të lartë. Në shërbimin e urgjencës, përveç përmirësimeve në infrastrukturë, pajisjes me shtretër të rinj, janë shtuar edhe 2 aparatura të reja EKG dhe defebrilator, me një vlerë 200 mijë lekë. Ndërsa në repartin e kirurgjisë është riparuar fibrogastroskopi, i cili ishte jashtë funksionit prej 8 muajsh. Investimeve nuk i ka shpëtuar as poliklinika e qytetit, e inauguruar 2 vite më parë. “Poliklinika e qytetit tashmë është pajisur edhe me shërbimin e mamografisë, është shtuar ekografia abdominale dhe ajo kardiake, ndërsa është rikthyer në funksionim radiografia. Ndëekohë pritet edhe një aparaturë për kryerjen e radioskopisë me parametrat më bashkëkohore, vlera e së cilës kap shifrën 150 mijë dollarë”, u shpreh drejtori i spitalit të Korçës, Artan Buzo. Sipas tij, me qëllim menaxhimin më të mirë, por edhe për të shmangur sorollatjen e qytetarëve nga njëra ndërtesë në tjetrën, është planifikuar sjellja e shërbimit obstetrik-gjinekologjik brenda korpusit spitalor në ambientet e Pediatrisë. Një tjetër ambient i cili do të përfshihet brenda korpusit spitalor është edhe ai i Sanatoriumit, ndërtesa e të cilit është realizuar më parë dhe aktualisht pritet vetëm mbërritja e aparaturave dhe shtretërve për pacientët. dh.d











