Anxhelo Koci: Unë, 18-vjeçari që dëshiroj duet me Jonida Maliqin, Dafina Zeqirin dhe Rihanën

Dec 3, 2011 | 14:34

Është vetëm 18 vjeç dhe deri tani është gati ta pranojë se jeta i duket si një melodi. Titullohej kështu dueti me Big Bastën, që e bëri të provojë emocionet e finales në “Kënga Magjike”, dhe të prekë një kupë, atë të çmimit hip-hop. Si një nga talentet më të pëlqyer që u zbulua në garën e “Star Academy”, duket se fati i ka ndritur shumë shpejt. Në këtë intervistë, ai zbulon të gjitha dëshirat e një artisti.
Si ndodhi që Bigu të ftoi në këtë bashkëpunim për këngën “Si melodi”?
Unë jam një këngëtar shumë i ri për skenën shqiptare, duke marrë parasysh moshën time 18 vjeç dhe eksperiencën e deritanishme. Ideja për këtë bashkëpunim lindi krejt rastësisht. Një ditë, me koreografin e njohur dhe mikun tim Tan Brama, ndërsa po pinim kafe bashkë, për herë të parë aty u takova me Big Bastën, ku ne shkëmbyem eksperiencat tona.  Që nga bashkëpunimi ynë i parë, ne punojmë çdo ditë bashkë në “Big City Studio”.
Si do e përshkruaje këtë eksperiencë?
Çdo artist i ri e mendon gjithmonë se si do të jetë eksperienca e tij e parë në këto përmasa. Pak a shumë si çdo i ri i moshës sime që mendon gjatë viteve të gjimnazit se si do të duket në mbrëmjen e maturës, për mua kjo eksperiencë kaloi çdo parashikim.
Si të duket përfshirja në tregun e muzikës hip-hop?
Që i vogël më ka bërë për vete kultura “hip-hop” dhe mbi të gjitha muzika R&B. Gjithmonë kur kisha mundësi dëgjoja cd të huaja, hyja në internet, shikoja çdo videoklip të fundit. Provoja të këndoja bashkë me miq kur dilnim nëpër festa të ndryshme. Nuk është se kam një strategji, pasi unë thjesht po ndjek pasionin tim.
Si t’u duk atmosfera mes këngëtarëve Big në prapaskenë?
U ndjeva vërtet shumë mirë. Bigu më pyeti dhe e mori në konsideratë shijen time. Kurse backstage-i ishte shumë i ngrohtë dhe një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua. Të gjithë artistët pa përjashtim nuk pushonin së uruari për këngën dhe performancën time.
Tashmë si ka ndryshuar jeta jote?
Jo vetëm që kam shumë më shumë fansa, por edhe në rrugët e Tiranës më ndalojnë e më urojnë për suksesin e arritur.
Po vëmendja e vajzave ndaj teje është shtuar, apo e ke gjetur dashurinë për momentin?
Është shtuar shumë (qesh) dhe vëmendja e tyre ndaj meje.
Çfarë planesh ke në muzikë?
Siç e përmenda dhe më sipër, po merremi me disa projekte të reja, ku natyrisht nuk do mungojnë dhe bashkëpunimet. Po për momentin aq kohë sa jemi në këtë vrull pune, nuk mund të përmend ndonjë bashkëpunëtor në veçanti. Nga këngëtarët Big do më pëlqente shumë të kisha një bashkëpunim në Shqipëri me këngëtaren e njohur Jonida Maliqi, në Kosovë me këngëtaren e talentuar Dafina Zeqiri, dhe në botë me të madhen Rihana.

© Panorama.al

Te lidhura