Anri Sala do të përfaqësojë Francën e Bienalen e ardhshme të Venecias. Ndonëse nuk kanë kaluar as dy muaj prej mbylljes së Bienales së vitit 2011, një prej ngjarjeve më të mëdha të artit pamor, kanë nisur përgatitjet për edicionin e radhës dhe madje po flitet dhe për emrat e artistëve pjesëmarrës. Sipas “Le quotidien de l’art”, që i ka kushtuar faqen e parë ekskluzive këtij lajmi ( Anri sala representera la France a la Biennale de Venise”), Anri Sala do të përfaqësojë Francën në këtë edicion. Ky nuk është udhëtimi i parë i Salës në Venecia. Filmi i tij “Uomoduomo” fitoi çmimin e Artistit të Ri në vitin 2001 në Bienale. Filmi prezantonte një burrë të moshuar në një katedrale në Milano, ulur në një stol, ndërsa koka e tij ulej e ngrihej vazhdimisht. Ndërkohë videoja e tij “Dammi i colori”, e cila ka njohur sukses në shumë aktivitete të artit pamor, reflekton transformimin e qytetit të tij, Tiranës, ende shfaqet në Tate Modern. Anri Sala është padyshim një prej shqiptarëve më të njohur në botë. Punët e tij janë ekspozuar në galeritë më të rëndësishme të artit modern në botë, nga Europa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për fatin e tij të mirë dhe fatkeqësinë e shqiptarëve, Sala do të përfaqësojë Francën, një nga qendrat më të mëdha të artit në botë.











