“Ti dhe unë” ishte një arsye e fortë që Anjeza Shahini të konkurronte për herë të parë në festivalin e tetë të “Top Fest” në “Top Channel”. Kënga me muzikë të Dren Abazit, liderit të grupit të njohur kosovar dhe vargje të Antigona Qenës, duket se i ngjiti shumë këngëtares, për faktin se ishtë një krijim i përshtatshëm për vokalin e saj. Dhe, pas suksesit dhe pëlqimit të këngës në skenën “live”, ata vendosën të bëjnë një klip krejt të veçantë, në stilin e grupit të njohur kosovar “Zig-Zag Orkestra”. Klipi, që sapo ka nisur të transmetohet në kanalet muzikore, është realizuar si një minifilm, ku dy protagonistët kryesorë, Dren Abazi dhe Anjeza Shahini, takohen në një ballo me maska, ndërsa kërcehet me tingujt e kësaj kënge. Në klip shfaqen të gjithë instrumentistët e orkestrës në momentin e mbylljes së klipit në breg të detit, pjesa e xhirimeve që janë realizuar në Shqipëri, përveç atyre në Prishtinë. Vetë Anjeza ka pohuar pë “Panorama” se “është një klip komplet i përshtatshëm për stilin dhe fabulën e këngës, një fabul që i dedikohet dashurisë”. Ky ishte bashkëpunimi i parë me djemtë e këtij grupi, me të cilët këngëtarja u njoh pak kohë më parë në “Netët e klipit” në Tiranë, dhe që më vonë u takuan në Kosovë. Kënga “Ti dhe unë” e riktheu Anjezën në garën e festivaleve, pas konkurrimit të saj të fundit në Festivalin e Këngës në RTSH, në vitin 2009. Nuk dihet se cilat janë planet e saj, nëse do të vazhdojë të konkurrojë në dy festivalet e këtij fundviti “Kënga Magjike” dhe “Festivali i RTSH-së”.
Dren Abazi: Dashuria, për të qenë e bukur, duhet të jetë dhe e dhimshme
Pas këngës “Jorgjica” apo “I dehur jam”, Dren Abazi, lideri i grupit “Zig-Zag Orchestra” shfaqet në këtë klip në stilin e tij të veçantë dhe me klas. Kësaj here fabula i dedikohet një historie dashurie, që nuk ka të bëjë me jetën e tyre, përveç një krijimi me vargje të ndjera nga autorja. Dren Abazi, i cili së fundi është i pranishëm me orkestrën e tij në jetën artistike të Tiranës, tregon pak më shumë për klipin e ri “Ti dhe unë”.
Dallohesh për stil të veçantë në muzikë e me skena meditative në klipe. Si do e përshkruash këtë prezantim të ri në klip?
Mendoj që edhe ky klip është një nga ato videot, që nuk është thjesht një fotografi që shoqëron këngën, por si e tillë ka një fabul, gjithmonë duke u përshtatur me atë çfarë flitet në këngën “Ti dhe unë”.
Kjo fabul është ndërtuar mbi një histori të bukur dashurie, apo të dhimshme?
Dashuria, për të qenë e bukur, duhet të jetë edhe e dhimbshme nganjëherë.
Ku janë bërë xhirimet e këtij klipi, ku protagonistë janë bërë dhe djemtë e tjerë të «Zig-Zag Orkestra» ?
Xhirimet janë realizuar një pjesë në Prishtinë dhe pjesa tjetër, në Shqipëri. Patjetër që djemtë e orkestrës marrin pjesë, pasi është një videoklip së bashku me orkestrën time, ashtu siç ka bërë në të gjitha këngët e tjera, që kemi publikuar si «Zig-Zag Orkestra».











