Nuk ndodh shpesh që pasionet të të kthehen në profesione, ama, atëherë kur ndodh, e kanë përkushtimin me kohë të plotë. Anisa Allmuça e nisi me rroba për kukulla e pantallona për mikeshat, për të ardhur deri këtu. Në një punë krejt të sajën (edhe pse në fillime) si stiliste. Por jo vetëm…edhe rruazat e dikurshme të mamasë shërbyen që sot të krijojë bizhutë që nuk gjenden lehtë në vitrinat e dyqaneve.
Disa njerëz, qoftë të panjohur, ta ngacmojnë shikimin, ashtu kalimthi, edhe qoftë vetëm për së jashtmi. Ndonjë aksesor që nuk e kishe parë më parë, një shall i lidhur çuditshëm, ngjyra ylberi të gjitha në një veshje, që sikur flasin e shkojnë aq mirë me njëra-tjetrën… Këto veshje të qeshura nuk mund t’i hasësh rëndom, e para sepse nuk gjenden në shitje në dyqanet tona dhe e dyta sepse nuk janë të shumtë ata që guxojnë, edhe pse do të ishte më mirë të ishte e kundërta (po ky është mendim subjektiv, jashtë temës). Anisa Allmuça është njëra prej të sipërpërmendurve. Por jo rastësisht… Në fakt, të gjithë ata që i kanë veshjet jashtë serisë së turmës, nuk janë krejt rastësorë, e kanë në cilëndo mënyrë një pikë kontakti të ndryshme nga të të tjerëve. Udhëtime më të shpeshta jashtë vendit (me kartë krediti me vete natyrisht) një mama stiliste në shtëpi, fantazi të pafre etj., etj. Anisa apo Ani siç e thërrasin të gjithë, nuk kishte asnjë lidhje të këtij lloji, përveç se kishte pasur gjithëherët dëshirën për të shfryrë fantazitë e saj në rrobat e kukullave, mandej rrobat e veta. Po nuk mjaftohej vetëm me veshjet, duhet t’i shoqëronte edhe me aksesorë. Do thoni ju me çfarë mund të eksperimentoje në vitet e para të ’90-s?! Mundësitë gjenden edhe me ato pak alternativa që ke. Ja për shembull, varëset e mamit mund të shërbenin fare mirë. Tek e fundit kush kishte parë më të mira asokohe, që të pretendonte më shumë. Kështu që ato ekzistueset prisheshin për t’u ribërë nga e para, por me elementë shtesë natyrisht. Kështu, duke luajtur me kukulla e duke iu bërë qejfin shoqeve të klasës me ndonjë palë pantallona të reja të qepura prej saj, Ani Allmuça ka nisur atë që sot e ka profesion, stilin pra. Natyrisht që më vonë dëshirat e pasionin do t’i plotësonte edhe me studime për të mbërritur deri këtu…
Rrobaqepëset e dikurshme i kanë bërë alternativat e pakta për t’u marrë me diçka, bashkuar me ndonjë dell të harruar artisti në familje. Sot, më duket sikur ky i fundit mbizotëron më shumë?

Ndoshta, edhe në rastin tim ka një lidhje artistike brenda. Kam studiuar tetë vite për flaut, kam mbaruar edhe liceun, por në studimet e larta devijova. Jo se nuk më pëlqente, por ja që ajo gjysma tjetër që më klithe shoqëruar qysh fëmijë, ishte më e fortë. Jo se ka ndonjë lidhje flauti me stilimin, por meqë po kërkonit pjesën artistike.
Ku devijuan studimet e larta?
Jam larguar nga Shqipëria pas Liceut për në Kanada, ku studiova për fashion-design.
Ishte zgjedhje e beftë apo kishte histori në të shkuarën?
Kishte padyshim histori në të shkuarën. Nuk mund të zgjidhja ç’të më dilte përpara, për më tepër që nuk është ndonjë degë prej së cilës atje mund të pretendosh të marrësh shumë. Kisha nisur lojërat me copat që fëmijë, së pari nga kukullat, siç ma do mendja mund të kenë bërë pjesa më e madhe e vajzave, vetëm se unë nuk e lashë me aq, rrezikova së pari edhe duke sajuar veshjet e mija e të mikeshave. Kjo ka ndodhur në kohën e Liceut.
Nuk rrezikonin duke të besuar?
Nuk është se kishin shumë alternativa. Asokohe ne kërkonim të visheshim ndryshe nga të tjerët, përmend për shembull pantallonat e gjera që nuk i gjenim nëpër dyqanet e Tiranës, kështu që i sajoja vetë.
Kur s’gjendeshin copa, nuk po pyes se si i gjeje gurët për të bërë bizhutë…
Jo në fakt, sepse as që flitej për gurë. Për të bërë varëse apo byzylykë shfrytëzoja rruazat e sime meje, duke i shtuar ndonjë element tjetër apo duke i lidhur në mënyra ndryshe nga ajo e mëparshmja. Nëse kontribuonin edhe të afërmet e familjes, ishte edhe një e mirë materiale më shumë.
Kur nise të mendosh që ta kthesh edhe në dobi financiare pasionin që po rritej?
Kur gjeta mundësinë që të shtoj materialet e punës. Së pari kur pata mundësinë të dal e të udhëtoj jashtë, nisa të blej për veten time bizhu me gurë të ndryshëm, por shumë shpejt po shihja që më ishin bërë shumë, s’po dija ku t’i çoja, sado që i ndaja apo i dhuroja edhe sime motre apo ndonjë mikeshe. Kështu nisa t’i zhbëj për t’i bërë nga e para. Kështu kam mbërritur deri këtu.
Te kjo rrëmujë gurësh shumëngjyrësh…
Po, që nuk është fare e lehtë të gjenden, sepse më duhet të udhëtoj deri në Kanada për t’i marrë apo në ndonjë vend më të afërt të Europës.
Si e ndërthur punën mes stilimit dhe bizhuve?
Varet, nuk kam planifikime standarde, gjithçka varet nga frymëzimi im. Këto javët e fundit për shembull jam marrë vetëm me bizhutë edhe ngase ka më shumë kërkesa. Njerëzit e kanë më të lehtë, për një ditëlindje të themi, të dhurojnë një bizhu, se sa të hyjnë në sikletet e një fustani, që është më i vështirë të pëlqehet sepse aty shijet ndërlikohen.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











