Anila Kruti ndan me të tjerët përvojën e saj si nëna e një djali autik. Vetes i ka dhënë kurajë, duke shkruar. Poezia është kthyer në terapi. Nënave që kanë të njëjtin problem si ajo u thotë të mos kenë frikë…
Domosdo që kur diçka të gëlon së brendshmi, faktorët e jashtëm, sado të fortë qofshin, nuk e pengojnë. Anila Krutin, as stërmundimet të ditëve e netëve që i kërkonte djali i saj autik, nuk e penguan për të bërë atë çka ishte më e dashur për të, poezinë, nevojën për ta nxjerrë jashtë vetes realitetin e dashurinë që ndoshta i biri nuk ia kuptonte, në vargje. Në librin e saj të dytë me poezi, “Psherëtima e gjethes”, ajo zbraz shpirtin e saj dhe kjo i mjafton për të shkuar tek një libër i tretë poetik, pse jo edhe tek proza.
Si ka nisur marrëdhënia juaj me të shkruarin dhe pse pikërisht me poezinë?
Të shkruash do të thotë që lexuesi të shohë me anë te leximit botën tënde shpirtërore. Marrëdhënia ime me poezinë ka nisur qysh në fëmijëri. Kam lidhje të veçantë me natyrën, ajo frymon bukur brenda meje. Frymëzohem prej saj dhe më mbush me muzë. Nuk mbeten pas as fenomenet shoqërore, sepse edhe ato në të shumtën e herës janë burim frymëzimesh, për të dhënë mesazhe.
Si marrin formë poezitë e tua? A ka një kohë të ditës a natës kur poeti i kushtohet, apo ato janë gjithnjë aty në vrapin e ditës?
Poezia vjen natyrshëm. Nuk ka një kohë të caktuar. Më mjafton vetëm çasti i frymëzimit, ndjeshmëria që unë përjetoj në ato momente dhe nis shkruaj. Kjo ka ndodhur edhe në orët e vona, më merr ëndrra, vargu poetik, por edhe në mëngjes kur drita më hap sytë. Poezia nuk njeh kohë…
Në poezitë e tua dominon motivi liriko-erotik, por ka edhe poezi që brenda tyre mbartin trishtim, melankoli… A mos ndoshta situata të tilla të trishta, të së përditshmes, janë burim frymëzimi? Sigurisht që një poete përçon nëpërmjet vargut atë çka sheh nëpërmjet syve të shpirtit, ajo që e ngacmon më se tepërmi. Në poezitë e mia ka shumë dashuri. Ajo vetformohet brenda botës sime shpirtërore, si qenie e dashuruar, si nënë. Është një korpus i veçantë i pandashëm, sepse një grua që dashuron në të gjitha këto dimensione, di të jetojë bukur! Përditshmëria është e pandashme në kohësinë e njeriut. Poezitë e trishta mund të lindin nga emocionet e trishta, nga problemet social-kulturore që janë të shumta.
Ju keni një fëmijë, një djale që kërkon më shumë perkushtim se fëmijët e tjerë. Si keni mundur që mes punës që keni bërë me të edhe të shkruani?
Na tregoni pak për kohën dhe përkushtimin që kërkon një famijë autik. Poezia është pjesë e shpirtit tim dhe unë e gjej gjithmonë kohën për të. Kam një fëmijë 6 vjeç, i cili ka kaluar një autizëm të lehtë. Më është dashur shumë punë dhe përkushtim që ta socializoj me fëmijët e tjerë. Mbaj mend periudha të ndryshme të punës me të. Në fillim kur e mësova jam dëshpëruar shumë. Kam qarë sigurisht. Asnjë nënë, asnjë prind nuk do të donte, as më të voglin problem me fëmijët e tyre. Më andej fillova të kuptoj që në vend të dëshpërimit ai kishte nevojë për mua dhe fillova të punoj me të. Jam përkushtuar totalisht. I kam dhënë mbështetje dhe dashuri të madhe, por sidomos punë. Ai tani flet, vizaton, shkruan, luan me shokët. Është njëlloj si fëmijët e tjerë. Ka shumë nëna që i kanë fëmijët me autizëm. Nuk duhet të demoralizohen. Asgjë nuk është e pamundur. Mjafton puna, përkushtimi dhe dashuria dhe gjithçka arrihet. Sigurisht, ndjen një dëshpërim të madh të luftosh me autizmin, ndjen lodhje fizike dhe shpirtërore, por kur shikon rezulatin e fëmijës që ai zhvillohet, ndryshon është një lumturi e pa matë. Natyrisht, mua më ka ndihmuar edhe arti, poezia dhe njerëzit e dashur të familjes sime, për ta kaluar këtë dhimbje shpirtërore dhe e kam arritur.
Ky është libri juaj i dytë me poezi, ndiheni më e pjekur?
Unë shkruaj për të derdhur shpirtin dhe mendimet, filozofinë e jetës, ndjenjat në vargje. Nuk i kam mëshuar anës komerciale sepse mendoj që synimi i poetit është arrijë të bëj art të mirëfilltë. Libri im i parë “Përtej skajeve me ëndrrën” është hapi i parë që më çoi drejt lëvrimit të gjinisë së poezisë. Mendoj se libri i dytë është më i konsoliduar dhe më i arrirë artistikisht, këtë e tregojnë edhe kritikat, shënimet dhe mendimet e lexuesve, apo edhe krijuesve profesionistë. Nuk është se unë ndaj ndonjë prej librave, se brenda tyre është bota ime. Aktualisht, po punoj për librin tim të tretë me poezi, ndoshta në të ardhmen pse jo edhe me prozë.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











