Anila Jole: SPAK nuk duhet ta lërë pa hetuar sulmin ndaj News24! Goditje për të intimiduar gazetarët që guxojnë të bëjnë shkrime kritike

Nov 25, 2025 | 21:51

Anila Jole, drejtoresha e Informacionit në “News24”, ka rrëfyer momentet dramatike të 9 gushtit, kur forcat policore dhe ushtarake hynë papritur në ambientet e televizionit dhe nxorën jashtë gazetarët pa asnjë paralajmërim.

anila jole

Në një intervistë për “Studio 24”, Jole tha se dita e ngjarjes ka qenë “një mëngjes i tmerrshëm”, i cili do t’i mbetet gjatë në memorie. Ajo kujton se redaksia ishte boshatisur nga uniformat blu dhe se askush nuk jepte asnjë shpjegim për ndërhyrjen.

“Gjithçka ndodhi të shtunën në mëngjes, fillim gushti, kur gjykatat ishin pushim. Gazetarët që punonin natën u nxorën jashtë pa asnjë sqarim. Kur mbërritëm, policia dhe ushtria qëndronin brenda në heshtje totale. Kaluan orë të tëra dhe na thuhej vetëm se ‘kemi shkelur kontratën’. Sinjali i News24 u ndërpre, edhe OSHEE u fut në këtë zinxhir, madje u ndërpre dhe gjeneratori”, u shpreh Jole.

Ajo theksoi se ajo çfarë ndodhi nuk mund të quhet ndryshe veçse një “bastisje e mirëfilltë”, ku sipas saj u morën pajisje dhe materiale nga redaksia.

“Pas dy-tre ditësh hyra brenda dhe skena ishte tronditëse. Gjithçka e përmbysur. Dukej qartë që kërkohej diçka specifike”, shtoi Jole.

Sipas saj, qëllimi i vërtetë ishte intimidimi dhe mbyllja e televizionit.

“Besoj se synimi kryesor ishte mbyllja e News24. Pa diskutim ishte një goditje ndaj fjalës së lirë dhe një paralajmërim për të gjithë gazetarët që guxojnë të publikojnë materiale kritike. Shumë njerëz menduan se News24 u mbyll. Protestuam, u mobilizuam, por pati edhe media që nuk raportuan asgjë. Sot jemi sërish në këmbë, puna investigative vazhdon”, deklaroi ajo.

Jole apeloi që SPAK të mos e anashkalojë këtë episod.

“Nuk duhet të lihet pa hetuar mënyra se si gazetarët u nxorën jashtë. Në një vend ku prodhohen lajme, jo armë, ajo që ndodhi është absurde. SPAK ka detyrimin të zbardhë çdo detaj”, përfundoi Jole.

© Panorama.al

Te lidhura