“Anglo-amerikanët donin të blinin Mehmetin me para”

Sep 22, 2011 | 11:47
Mehmet Shehu

Ambasada Sovjetike në Tiranë paskej qenë një dhomë “rrëfimi” për krerët e pushtetit komunist shqiptar. Të gjithë shkonin një nga një dhe i raportonin të dërguarit të superfuqisë sovjetike. Dilnin kundër njëri-tjetrit, kritikonin madje edhe Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Prokurorin e Përgjithshëm…, çka nuk e bënin dot ballazi. Botimi më i fundit i Qendrës Studimore Albanologjike, “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse 1946-1962”, me autorë historianët Hamit Kaba dhe Ethem Çeku, na sjellin disa shembuj të këtillë. Janë biseda të zbardhura nga përfaqësuesit rusë në Tiranë, të cilat historianët i kanë qëmtuar dhe sjellë për publikun, nga arkivat rusë. Një ndër to është biseda mes Sekretarit të Parë të Misionit të BRSS në Shqipëri, A. N. Gagarinov dhe ministrit të Industrisë së Shqipërisë, Naku Spiru. Letra daton vitin 1947. Në të Spiru flet hapur kundër prokurorit të Përgjithshëm, Bedri Spahiu, të cilin e konsideron të rrezikshëm, por edhe shumë të fuqishëm për t’ju kundërvënë. Gjithashtu, Spiru ankohet se organizatat lokale të fshatit e qytetit janë mbushur me njerëz të paaftë. Gjatë bisedës trajtohet shkarazi edhe rasti i Dali Ndreut. Një fakt interesant është pranimi i Spirut se agjentura anglo-amerikane ishte e interesuar të “blinte” Mehmet Shehun me para apo me ndonjë mënyrë tjetër.                               a.m

Nga ditari i Sekretarit të Parë të Misionit të BRSS në Shqipëri, A. N. Gagarinov. Regjistrim i bisedës me ministrin e Industrisë së Shqipërisë, Naku Spiru, mbi procesin gjyqësor ndaj sabotatorëve në industri, mbi kuadrot, rininë dhe situatën në udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare
Tiranë, më 13 shtator 1947
Sekret

Nako Spiru

Sot më bëri vizitë Nako Spiru. Biseda u zhvillua rreth disa çështjeve.
1. Nako Spiru mendon se procesi që po zhvillohet në Tiranë, është përgatitur keq. Çështja kryesore qëndron në faktin se si pasojë e dobësisë së punonjësve, të cilëve u është ngarkuar zhvillimi i këtij procesi, ky i fundit po merr një drejtim të padëshiruar. Del që grupi i kriminelëve që ndodhet në bankën e të akuzuarve, veprimtaria e të cilëve ishte drejtuar kundër interesave të popullit, nuk është grup agjentësh të shitur tek anglo-amerikanët, por është një grup që ka zhvilluar një luftë parimore politike kundër regjimit ekzistues. Lidhur me këtë, filloi të flasë për Bedri Spahiun.
“Prokurori i Përgjithshëm, Bedri Spahiu, është person i dyshimtë. Ne e ndjekim prej kohësh aktivitetin e tij, por tani për tani nuk kemi fakte të mjaftueshme. Ç’është e vërteta, ne kemi marrë njoftim se Bedri Spahiu jo shumë kohë më parë, vizitoi ish-ministrin e Arsimit, Sejfulla Malëshova. Çfarë i duhej prokurorit të Përgjithshëm nga ky njeri? Kësaj pyetjeje, tani për tani, ne nuk mund t’i përgjigjemi. Bedri Spahiu ka një ndikim të fuqishëm në ushtri, veçanërisht mes oficerëve. Madje, dhe oficerët e rinj janë të gatshëm ta mbështesin. Disa nga shokët ushtarakë, në veçanti Memed Sheu (Mehmet Shehu), na ka thënë që në vitin 1944 veprimtaria e Bedri Spahiut është armiqësore për ne. Ndërkaq, Bedri Spahiu është figurë tepër e fuqishme, ndërsa të dhënat tona kundër tij janë të pakta e të pamjaftueshme për të biseduar me atë shumë seriozisht apo për të marrë ndonjë masë konkrete”.
Ishte e qartë se Nako Spiru, megjithëse një gjë të tillë nuk e shprehu hapur, ka shprehur mendimin se ata kanë frikë “ta kapin” Bedri Spahiun, pasi ai është tepër i fuqishëm e me ndikim të madh në ushtri. “Në kohën time fillova procesin kundër Sejfulla Malëshovës dhe e çova deri në fund. Tani, e them hapur, që personalisht dal kundër Bedri Spahiut, nuk e di se si do të përfundojë kjo çështje”.
Duke folur për qëndrimin e jugosllavëve ndaj procesit, Nako Spiru tha se tani shokët udhëheqës jugosllavë që punojnë në Shqipëri (Koshmërl, Peroviç), filluan të flasin për faktin se vala e prirjeve antijugosllave ishte inspiruar pa dyshim nga ata, që tanimë gjenden në bankën e të akuzuarve. Në këtë gjendje të mjegullt, ai (procesi gjyqësor-red.) na krijoi mundësinë për të kuptuar se jugosllavët kishin bashkuar për tendenca antijugosllave edhe emrin e tij (Nako Spirut-red.) me njerëzit, fatet e të cilëve përcaktohen nga ky proces. Në bisedë me shqiptarët, Koshmërl- i ngarkuari me punë i Jugosllavisë- ka hedhur tezën se Shqipëria është baza kryesore e spiunazhit anglo-amerikan dhe veprimeve (të tij-red.) në Ballkan.
Më tej, Nako Spiru deklaroi: “Gjatë zhvillimit të procesit po dalin persona të rinj, të cilët kanë marrë pjesë në këtë apo në atë shkallë në veprimtari antiqeveritare”. Ndër të tjera, ai përmendi mbiemrin Xega (inxhinier në Ministrinë e Industrisë, tashmë është arrestuar), sekretarin e organizatës së partisë së Shkodrës, çështja mbi arrestimin e të cilit tashmë është vendosur. Në lidhje me Bonat-in (punonjës i misionit francez në Tiranë), Nako Spiru deklaroi: “Organet tona kanë bërë gabim të madh që nuk kanë marrë masa aktive për arrestimin e tij, para publikimit të emrit të tij në këtë proces. Tani, Bonati fshihet dhe ne nuk dimë ku gjendet, ndoshta në godinën e misionit francez apo në godinën e misionit amerikan. Pra, arrestimi i Bonatit nuk mund të realizohet”. Nako Spiru u shpreh shumë i pakënaqur që gjatë zhvillimit të procesit po del se gjoja sabotatorët kanë mundur të bëjnë shumë në fushën e industrisë. “Mund ta vërtetoj me fakte se synimet e sabotatorëve në fushën e industrisë nuk u realizuan. Por sipas procesit, po del se ata i kanë arritur synimet e tyre dhe, rrjedhimisht, unë si drejtues i industrisë, mbaj përgjegjësi direkte për këtë. Do të ishte e drejtë që gjatë procesit të tregohej që sabotatorët kishin synimet e tyre, por ato nuk patën rezultat”.
Nako Spiru më tregoi një fakt interesant për Dali Ndreun, ish-anëtar i KQ të Partisë Komuniste Shqiptare, i cili u përjashtua nga radhët e Komitetit Qendror në gusht të këtij viti. Ky i fundit, gjoja ka marrë pjesë jo vetëm në mbledhjet e Sheh Karbunarës, por edhe ka diskutuar me të për domosdoshmërinë, që së bashku të kalojnë në ilegalitet. Kur Dali Ndreu shkoi për bisedime me Sheh Karbunarën, për ta bindur këtë të fundit se ai vepron bashkërisht me këtë grup, vuri në dispozicion të delegacionit makinën e vet personale. Dali Ndreu e paraqiti çështjen në mënyrë të tillë, që në fillim duhej të kalonte në ilegalitet Sheh Karbunara e më pas ai, Dali Ndreu. Ndryshimi i situatës bëri që këto synime të mos realizoheshin. Ai përmendi gjithashtu se, nga materialet e hetimit u bë e qartë se zbulimi anglo-amerikan, duke ditur një lloj pakënaqësie të Mehmet Shehut (Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare) dhe luhatjet e marrëdhënieve të tij me udhëheqës të shtetit shqiptar e vartësit e tij, me shumë këmbëngulje “zgjodhi çelësin e përshtatshëm” për këtë njeri. U interesua nëse ka lakmi për para, ose nëse ka mundësi që të blihet me ndonjë lloj mënyre, duke qenë i njohur me faktin se në kohën e tij Mehmet Shehu kishte qenë dëgjues i Shkollës Teknike, që kryesonte Fulci (shkollë që përgatiste spiunë të kualifikuar).
2.Në mënyrë të veçantë Nako Spiru u ndal në çështjen e gjendjes ekonomike në vend, mbi emërimet e kuadrove. Ai u shpreh se “organizatat lokale të fshatit e të qytetit janë mbushur plot me njerëz të paaftë e elementë të huaj. Pavarësisht se kjo gjë është tejet e qartë, me këtë punë nuk do merret askush dhe nuk është marrë asnjë masë konkrete për rregullimin e gjendjes. Gjatë kësaj periudhe kanë dalë njerëz të mirë e energjikë, veçanërisht nga rinia, të cilët mund të zëvendësojnë me sukses në organizatat lokale ata, të cilët ose nuk mund të realizojnë punët për shkak të aftësive të kufizuara profesionale, ose sabotojnë si njerëz me tendenca armiqësore. Organizatat e partisë në terren, si pasojë e dobësisë së punonjësve drejtues të tyre, të cilët jo vetëm që nuk e njohin gjendjen e vërtetë të situatës në terren, për mungesë komunikimi me popullin, por nuk njihen as me punën e shokëve drejtues vendorë. Emërimi i kuadrove sipas meritave dhe aftësive për zëvendësimin e njerëzve të paaftë, apo me prirje armiqësore ndaj nesh, tash për tash është një çështje me rëndësi kryesore, nga e cila varet realizimi i planit dhe realizimi i të gjitha detyrave që qëndrojnë para nesh, me qëllim ecjen përpara në rrugën e demokracisë”. “Kam guximin, tha Nako Spiru, të deklaroj se tek ne (kuptohet qartë që bëhet fjalë për organet e larta të partisë e qeverisë) nuk e kuptojnë të gjithë seriozitetin e këtij problemi. Si rezultat, del se me fjalë dhe sipas informacioneve gjendja aktuale ekonomike është e mirë, kurse në të vërtetë ajo është keq. Kështu është puna me drithin-me mbledhjen dhe dorëzimin e tij shtetit, kështu është puna me kantieret tona të ndërtimit, duke përfshirë ndërtimin e rrugës “Durrës-Elbasan”.

© Panorama.al

Te lidhura