Anglia “vetëpërjashtohet” nga BE

Dec 10, 2011 | 13:45
Momenti kur Presidenti Nikolas Sarkozi eviton t’i zgjasë dorën Kryeministrit britanik, Kameron

Në atë që u konsiderua samiti më i rëndësishëm i vitit për Bashkimin Europian, liderët aprovuan planin franko-gjerman për ndryshimin e traktatit themelor të BE-së. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, triumfuan në planin e tyre për eurozonën, por ëndrra për ta zgjeruar paketën e përbashkët fiskale edhe në BE dështoi. Vendimi i Kryeministrit britanik, David Kameron, për t’i vënë veto rinegociimit të traktatit të Bashkimit Europian, përveçse kufizoi hartën e zbatimit të marrëveshjes, të premten e ka lënë Britaninë të izoluar si kurrë më parë në Europën e pasluftës. Ka gjasa që vendi të mbetet tani jashtë vendimeve të ardhshme të eurozonës. Në negociatat maratonë që nisën më 8 dhjetor, liderët europianë ranë dakord të premten herët për një paketë masash që do të vendosin një disiplinë më të madhe fiskale mes vendeve anëtare, por në kurriz të cedimit të pak sovraniteti mbi çështjet financiare. Ata kishin shpresuar të merrnin aprovimin e të gjithë Europës, por pas vetos së Britanisë, miratimi i ndryshimeve të traktatit u kufizua në eurozonë. Marrëveshja mbetet e hapur edhe për vendet e tjera të BE-së, duke u siguruar me nënshkrime ndërqeveritare. Kameron paraqiti kushtet e Britanisë, mes të cilave ai po kërkonte përjashtimin për industrinë e shërbimeve financiare të Britanisë nga rregulloret e ardhshme që mund të dëmtojnë konkurrencën e saj. Ai donte që të mos kishte një taksë transaksioni të zgjeruar financiar, e njohur si taksa “Tobin”, e cila do të dëmtonte kryesisht Londrën. Pasi kjo kërkesë iu refuzua, ai tha se nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër përveçse t’i vinte veton ndryshimeve të traktatit. Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, tha se hapi që mori Kameron ishte “shumë i ndjeshëm” dhe se çdo zgjidhje tjetër do të thoshte humbje e sovranitetit për Britaninë. Më ashpër prej të gjithëve reagoi Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i cili fajësoi Kameron për dështimin e zgjerimit të marrëveshjes. Pas asaj që ai e quajti “një natë shumë të vështirë”, Sarkozi tha se: “David Kameron bëri një propozim që ne na u duk i papranueshëm, një protokoll për marrëveshjen që do të shkarkonte Mbretërinë e Bashkuar nga një numër i madh i rregullatorëve të shërbimeve financiare”. Reagimi i tij u shpreh edhe gjatë përfundimit të samitit, kur evitoi t’i japë dorën Kryeministrit britanik duke u shmangur mënjanë. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, tha se avokatët e BE-së kanë vendosur tashmë që për institucionet e BE-së do të jetë e mundur të marrin pjesë plotësisht në çështjet   politike që përfshijnë ndryshimin e traktatit. Ai shtoi se: “Ne do të kishim preferuar që të ishte një marrëveshje unanime. Kjo nuk u bë e mundur dhe unë mendoj se tashmë do të kemi një lloj marrëveshjeje ndërqeveritare, por kjo nuk do të thotë se institucionet e BE-së nuk do të kenë rolin e tyre”. Kameron tha se institucionet e BE-së duhet t’u shërbejnë të 27 vendeve anëtare dhe jo vetëm interesave të një grupi. Pasditen e djeshme, pasi i vuri veton ndryshimeve të traktatit, ai shtoi se “Britania do të siguronte që roli i institucioneve të respektohej plotësisht”. Kryeministri britanik tha se kishte marrë garanci nga homologu i tij holandez, Mark Rute, se ai nuk do të lejonte vendet e eurozonës që të diskutonin çështjet e tregut të monedhës së përbashkët në mungesë të 10 vendeve jo-anëtare.

Ndryshimet e traktatit të BE-së
• Koordinim më të madh buxhetor mes nënshkruesve. Sanksione automatike për çdo vend i cili e kalon deficitin 3 për qind të GDP-së.

• Rregullat më të ashpra fiskale përfshijnë edhe mundësinë që vendet anëtare të kthejnë një rregull në ligj për të mbajtur buxhetet e tyre në balancë, sipas matjeve nga strukturat vjetore, që deficiti të mos i kalojë 0.5 për qind të nominal GDP.

• Vendet e zonës euro dhe vende të tjera të BE-së do të konfirmojnë brenda 10 ditëve sigurimin e 200 miliardë eurove, të cilat do t’i dorëzohen FMN-së për ta siguruar se ata i kanë burimet e nevojshme për të përballuar krizën.

• Marrëveshje mbi përshpejtimin e hyrjes në fuqi të Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), brenda korrikut 2012.

• “Lehtësimi i Stabilitetit Financiar Europian” (EFSF) ekzistues do të mbetet aktiv në financimin e programeve që kanë nisur deri në mesin e vitit 2013.

• Rivlerësimi i përshtatshmërisë së tavanit të përgjithshëm të EFSF/ ESM prej 500 miliardë eurosh në mars, 2012.

• Investitorëve privatë nuk do t’u kërkohet më kurrë të marrin përsipër humbjet, si në rastin e Greqisë.

• Një strukturë e re ligjore, e cila duhet të hapë rrugën për një transaksion financiar ose ‘Tobin’, korporata e tatimeve dhe taksave të përbashkëta në eurozonë.

Anëtarja e 28-të
Kroacia nënshkroi në samitin e djeshëm anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, pas miratimit të kësaj nisme në Parlamentin e Unionit disa ditë më parë. Kështu, Kroacia u bë anëtarja e 28-të e Bashkimit Europian, por dje nuk kishte të drejtën e votimit apo nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje tjetër, pasi anëtarësimi i saj ishte hapi i fundit i Samitit, ku fokusi ishte marrëveshja e re franko-gjermane për ndryshimin e traktatit qeverisës të BE-së. Kandidatura e Serbisë u refuzua dhe u shty për në pranverë, për shkak të dhunës së serbëve në Veri të Kosovës.

Reagimi i tregjeve
Tregjet në të gjithë botën reaguan keq kur Britania i vuri veton traktatit të ndryshimeve të BE-së, por më pas gjatë ditës ata e mirëpritën marrëveshjen e re dhe ndryshimet radikale të rregullores europiane. Ndërsa shumë bursa u mbyllën pozitivisht, ngjarja rezultoi domethënëse më shumë për Italinë dhe Spanjën, dy nga ekonomitë më të mëdha të eurozonës që janë në prag të “humnerës”, pasi interesat për bonot e tyre u ulën për herë të parë në muajin e fundit, duke treguar se besimi për forcimin e këtyre vendeve ishte rritur.

Moody’s për Francën
Një nga tri agjencitë e vlerësimit të kapacitetit kreditor të vendeve në botë, “Moody’s”, ka ulur të premten vlerësimin për tri bankat më të mëdha në Francë, dhe tha se kishte një mundësi shumë të madhe se qeverisë franceze do t’i duhej të merrte masa në mbrojtje të tyre nëse kushtet përkeqësoheshin. Vlerësimi u ul për “Societe Generale”, “BNP Paribas” dhe “Credit Agricole”. Vendimi erdhi vetëm një ditë pasi rregullatori më i madh bankar në Europë tha se të gjitha bankat franceze e kishin kaluar “testin e krizës”.

Refuzimi i Britanisë dhe marrëdhënia me euron
Britania ishte i vetmi vend i Bashkimit Europian që vuri veton në ndryshimin e traktateve të qeverisjes në BE, për të “ruajtur sovranitetin” e saj, duke hequr të gjitha shpresat e Merkel dhe Sarkozi, që plani i tyre të zbatohej në të gjithë Unionin Europian. Londra e ka evituar edhe më parë përfshirjen e saj në “grumbullin” europian, por kjo ishte hera e parë që ajo vuri veton ndaj një traktati të përbashkët. Britania arriti ta mbajë veten larg konvertimit të paundit me euron (traktati i Maastricht). Qeveria e ish-kryeministrit Toni Bler deklaroi se Britania duhet të kalonte “pesë teste ekonomike” përpara se të bashkohej me euron. Nëse këto teste kaloheshin, atëherë vendimi për të ndryshuar monedhën duhej të aprovohej në kabinetin qeveritar, Parlament, dhe më pas duhej miratimi me referendum. Sondazhet mbi referendumin në Britani pro bashkimit me euron kanë treguar se populli ka qenë gjithnjë kundër kësaj nisme, madje fryma lundër monedhës së përbashkët është rritur, me 83 për qind të popullit që nuk duan të ndryshojnë paundin. “Ju nuk e keni parë kurrë Britaninë t’i thotë ‘jo’ një traktati të BE-së, ishte një traktat në tryezë, i cili nuk u përshtatej interesave të Britanisë dhe unë bëra detyrën time, mbrojta interesat e vendit tim”, tha Kameron, i cili në Britani u prit si hero.

© Panorama.al

Te lidhura