Aleks Ferguson mbetet legjendë, por dje vulosi një rekord që e kishte munduar për vite me radhë. Nën drejtimin e “djajve” të pandalshëm në Angli, ai ëndërronte të kalonte Liverpulin me tituj kampion dhe e kreu plotësisht misionin ditën e djeshme. Përballë Blekbërnit, Mançesterit i mjaftonte një pikë dhe nuk dështuan për ta marrë atë, duke u shpallur kështu kampionë në Premier Ligë. Ky është titulli i 19-të në historinë e tyre, duke u bërë klubi me më shumë kampionate të fituar në Angli. Ndërkohë, la pas vetes Liverpulin me 18-të tituj, por që ka fituar për herë të fundit në vitin e largët 1990, më saktë në periudhën që Ferguson kishte pak sezone që kishte marrë drejtimin e “djajve”. Në transfertën ndaj Blekbërnit, vendësit kaluan të parët në avantazh, me anë të Bret Emërton në minutën e 20-të, miqtë nuk u nxituan. Në minutën e 73-të, mendoi Uejn Runi për të shënuar golin vendimtar. Ai u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe zyrtarizoi titullin “Kampion”. Festën Mançesteri do ta bëjë javën e ardhshme në shtëpi.











