Sot, në Kiev, Italia do të ndeshet me një rival më pak në miqësoren e programuar kundër Ukrainës: Andrij Shevçenko nuk do të zbresë në fushë. Ish-sulmuesi i Milanit ka preferuar të mos rrezikojë, për shkak të një problemi që ka prej kohësh e, për pasojë, nuk do të luajë kundër Kombëtares së vendit ku ka kaluar momentet më të lavdishme të karrierës. Megjithatë, ai nuk mund të rrinte pa u thurur elozhe rivalëve italianë: “E kanë ndryshuar shumë skuadrën dhe e kanë rinuar atë. Por, sidoqoftë, Italia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë një rival mjaft i fortë. Në ndeshjet kualifikuese të Euro 2012, ka luajtur mjaft mirë, ndaj nuk ka asnjë dyshim që ndeshja me Ukrainën do të jetë një takim emocionues, – ka deklaruar Shevçenko. – Sfida me të kaltrit do jetë një test tepër i rëndësishëm për Kombëtaren tonë”.











