Andi Lila duket gjithnjë e më larg Tiranës. Fundi i sezonit mund të sjellë largimin e mbrojtësit nga bardheblutë. Megjithatë, kapiteni ka një dëshirë të fundit, të fitojë trofeun e Kupës së Shqipërisë. Lila shpreson që me një paraqitje dinjitoze kundër Dinamos në Kupë, por edhe me fanellën e Kombëtares kundër Bosnjës më 6 qershor, të arrijë një kontratë të majmë me ndonjë klub të huaj. “Po pres fillimisht që të përfundojë edhe finalja e Kupës, më pas do ta mendoj me qetësi se çfarë do të vendos. Në qoftë se do të kem mundësi për të lëvizur jashtë, normalisht që do të largohem. Në rast të kundërt, nuk do të ngutem, por do të ulem të bisedoj me detaje me presidentin. Me Dinamon e Bukureshtit nuk është mbyllur asgjë, por edhe deri më tani nuk kam arritur ndonjë akord. Gjithsesi, tani jam i përqendruar te finalja e Kupës, pasi ky është i vetmi trofe që mund të shpëtojë sezonin e Tiranës. Jam duke u stërvitur dy herë në ditë, në mënyrë që të arrij formën time maksimale për këtë përballje deçizive. Mendoj se kjo sfidë me Dinamon mund të më shërbejë si provë përpara ndeshjes së Kombëtares ndaj Bosnjës. Dihet që një ndeshje e zhvilluar mirë me fanellën e Kombëtares, është një portë e hapur në planin personal, pasi mund të të ndjekin njerëz shumë të rëndësishëm të botës së futbollit”, ka pohuar kapiteni i skuadrës së Tiranës, Andi Lila.











