Andi Lila e konfirmon: është në bisedime me drejtuesit e Arisit të Selanikut. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, vetë kapiteni i bardhebluve e ka pohuar një fakt të tillë, ndonëse thekson se ende nuk është mbyllur asgjë. Arisi nuk është i vetmi ekip që kërkon shërbimet e lojtarit për sezonin e ri, mirëpo nga ajo çka thotë Lila, e ardhmja e tij do të vendoset pas finales së Kupës së Shqipërisë, që luhet më 21 maj. “Po, është e vërtetë, jam në bisedime me drejtuesit e Arisit, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Ashtu sikurse me grekët, jam në bisedime edhe me ekipe të tjera, ndaj fjalën e fundit do ta them vetëm pas finales së kupës me Dinamon”, – ka thënë shkurtazi kapiteni i Tiranës në lidhje me të ardhmen. Në rast se Lila shkon drejt Greqisë, atëherë mendohet se ai do të zërë vendin që do lërë bosh te kjo skuadër një tjetër shqiptar, Kristi Vangjeli. Ky i fundit është 99 për qind i larguar nga kjo skuadër në një kampionat më prestigjioz, ndaj Lila është parë si zëvendësuesi ideal për këtë të fundit. Në momentin kur të gjithë po shihnin nga Dinamo e Bukureshtit, skuadër kjo që ka kërkuar shërbimet e Lilës në merkaton e janarit, vjen një ofertë shumë herë më e mirë nga Arisi i Selanikut. Mbrojtësi e përfundon kontratën me Tiranën në fund të këtij muaji.











