
Gjykata e Tiranës vendosi të thërrasë katër ekspertë gjenetistë për llogari të gjykimit të Lavdërim Tufës, të akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës në vitin 2003, të njohur edhe si “Miri i Xhikes”.Vendimi i ndërmjetëm për thirrjen e ekspertëve u mor dy ditë më parë në seancën e radhës së këtij gjykimi në Gjykatën e kryeqytetit. Bëhet fjalë për katër ekspertë, të cilët do të realizojnë analizat gjenetike për tre familjarë të të pandehurit Tufa. Analizat gjenetike ndaj të afërmve të Tufës është një nga urdhëresat që Gjykata e Lartë ka dhënë në vendimin që ktheu dosjen e tij për rigjykim në shkallën e parë. Kryerja e kësaj procedure u lyp të bëhej pas dyshimeve se gjurmë të gjetura në vendin e ngjarjes së marsit 2003 në Lundër, mund të ishin të ndonjë të afëmi të Tufës. Ky pretendim shfaqej edhe në aktin e ekspertimit të kryer nga dy ekspertë, në lidhje me analizimin e provave të gjetura pranë vendit ku u vra biznesmeni Fatmir Rama. “Për të shikuar nëse këto gjurmë janë lënë ose jo nga familjarë ose të afërt të të pandehurit Lavdërim Tufa, kjo kërkon kryerjen e analizës së ADN-së së personave përkatës”, i përgjigjeshin ekspertët pyetjes së Gjykatës nëse gjurmët në vendngjarje mund të ishin lënë nga të afërm të Tufës. Paraqitja e ekspertëve para gjykatës pritet të ndodhë në seancën e ardhshme të këtij procesi, e caktuar për t’u zhvilluar në datën 25 maj. Në një nga seancat e fundit të procesit, Gjykata e Tiranës u njoh me konkluzionet e dy ekspertëve shqiptarë në lidhje me akt-ekspertimin e analizës gjenetike të njollave të gjakut të mbetura në një kapuç pranë vendit të ngjarjes. Në aktin e tyre, ekspertët i referoheshin të dhënave të dala nga analiza gjenetike e kryer në Itali. Sipas tyre, kodi gjenetik i të pandehurit Tufa rezultonte tepër i përputhshëm me ADN-në e njollës gjak-pështymë të gjetur në kapuç. “Lavdërim Tufa ka rezultuar tepër i përputhshëm me një probabilitet atributi më të lartë se 90 për qind”, pohuan ekspertët. Pyetja e këtyre dy ekspertëve u kundërshtua në atë seancë nga mbrojtësi ligjor i Tufës. Sipas avokatit, gjykata nuk duhet të pranonte pyetjen e ekspertëve, pasi ata nuk ishin ekspertë të mirëfillte gjenetistë. ar.ba
Te dyshuarit
Paraqitja e disa akt-ekspertimeve në seancat e fundit gjyqësore të gjykimit të Lavdërim Tufës kanë nxjerrë në disa të dyshuar si autorë në ekzekutimin e Ramës. Kështu, pas ngjarjes, analizave gjenetike iu është nënshtruar edhe Sh.X. i dyshuar si autor i ngjarjes. Pas analizave ai ka rezultuar “i pastër”. Gjithashtu, u mësua se analiza gjenetike i janë bërë edhe monstrave të një personi të gjetur të vdekur në liqenin e Baldushkut, pak ditë pas vrasjes së Ramës.











