SHKODER – Fenomeni i gjakmarrjes është cilësuar si një ndër problematikat më të mprehta gjatë analizës së punës së një viti të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Drejtues të Policisë bënë të ditur se në qarkun e Shkodrës janë 200 familje në hasmëri me njëra-tjetrën. Sipas statistikave të dhëna, janë evidentuar rreth 48 familje me 116 persona gjithsej që ndodhen të ngujuar në banesat e tyre nga frika e gjakmarrjes. Ndër ta ka edhe fëmijë, të cilët edhe pse në kundërshtim me zakonin e kanunit, janë të detyruar që të ngujohen nga frika e gjakmarrjes. Sipas shifrave të bëra publike në këtë analizë mësohet se në këtë qark janë rreth 20 fëmijë të nivele të ndryshme parauniversitare si dhe dy studentë që nuk shkojnë në shkollë duke ndërprerë vazhdimin e mësimit në nivelet e ndryshme arsimore për shkak të fenomenit të gjakmarrjes. Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Altin Qato, në fjalën e tij u ndal te lufta që është bërë gjatë kësaj periudhe në goditjen e kriminalitetit. Sipas tij, gjatë vitit 2011 janë referuar 916 vepra penale nga të cilat janë zbuluar 714, ose rreth 80 për qind. Janë organizuar 187 operacione për identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike, si dhe 25 operacione fluturimi. Gjithashtu është bërë e mundur goditja dhe dokumentimi i plotë ligjor i nëntë grupeve kriminale. Në analizën e djeshme ishin të pranishëm edhe nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, prefektja e Shkodrës, Voltana Ademi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Maxhid Cungu, prokurori i rrethit, Përparim Kulluri etj. r.d











