Berisha: 2011, një vit i shkëlqyer për shqiptarët

Dec 28, 2011 | 17:34

TIRANE- Pavarësisht disa ngjarjeve, ky vit ka qenë i shkëlqyer për shqiptarët dhe do të regjistrohet në muret e kohës si një nga vitet e suksesit të madh në të gjitha fushat.

Ky ishte me pak fjalë vlerësimi i kryeministrit, Sali Berisha  në një analizë të gjatë për vitin 2011.

Fillimisht Berisha u ndal në ngjarjet e janarit, tek protestat e opozitës.

21 janari

“Viti 2011 filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore, ngjarje të cilat provuan, testuan funksionimin e kushtetueshmërisë së vendit. Ngjarje të cilat morën përgjigjen më kushtetuese dhe ligjore. Shqipëria u faktua si një vend i shtetit ligjor, për të dhënë mesazhin se në këtë vend askush dhe kërkush nuk mundet që një qeveri të zgjedhur me votë të lirë ta nxjerrë nga pushteti, apo të marrë pushtetin me dhunë.” – tha Berisha.

Në analizën e tij Berisha vlerësoi si dy ngjarje të mëdha, të cilat sipas tij faktuan gjithashtu funksionimin e ligjit dhe shtetit ligjor në Shqipëri, zgjedhjet e 8 majit dhe censusin.

Zgjedhjet e 8 majit

“Në këto zgjedhje, institucionet kushtetuese të këtij vendi, kaluan një nga testet më serioze për çdo vend demokratik për shkak të ngushtësisë së garës. Direktivat e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it faktojnë qëndrimin e drejtë që ne mbajtëm duke mbrojtur ato parime që s’mund të shkelen kurrë. Mund të kishte ndonjë zbrastësi të lehtë ligjore, por nuk kishte absolutisht asnjë mangësi në parimet të cilat ne mbrojtëm. Zgjedhjet e para në historinë e këtij vendei që u vlerësuan si kompetitive dhe transparente. Në këtë proces mazhoranca me përpjekjet e saj, reformat e saj, morën  vlerësimin më maksimal në historinë e zgjedhjeve të këtij vendi. Maxhoranca mori një fitore në shkallë vendi, në komuna dhe bashki. Morëm qytetin e Tiranës, pati një përpjekje absurde për të bllokuar rezultatin, numërimin e votave, disa skena të rrethimit nuk realizuan qëllimin, ligji triumfoi.”- tha kreu i qeverisë.

Censusi

“Shqipëria zhvilloi këtë vit, pas 10 vitesh për të mos thënë pas 99 vitesh censusin e plotë në liri të plotë. Ajo dha fotografinë më të bukur të qenies së saj. Për herë të parë qytetarët shqiptarë u regjistruan me standardet më të larta, me teknologjinë më të lartë. Rezultatet e para janë historike. Ato faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar.”- u shpreh kryeministri.

Refuzimi i statusit kandidat

Kryeministri fajësoi sërish opozitën shqiptare e cila me veprimet e saj, bllokoi reformat që duheshin bërë për marrjen e statusit.

“Shqipëria nuk mori statusin sepse opozita shqiptarë në një akt të paprecedëntë në historinë e Evropës vendosi bllokimin. Shqipëria nuk mori statusin, jo se nuk u hartuan ligjet, u shpenzuan miliona euro dhe dollarë të partnerëve tanë, por ato nuk u votuan sepse opozita në një qëndrim politik të verbër në vlerësimin tim, mendoi se duke bllokuar do të dëmtonte qeverinë.”-  tha Berisha.

Ekonomia

Më tej në analizën e tij vjetore, Berisha tha se eksportet shqiptarë në harkun kohor dy vjeçarë kanë shënuar dyfishimin tyre, sipas tij,  një rast i paprecedentë. Viti  mbyllet me një defiçit buxhetor 3.5% dhe me një borxh jo mbi 60%.

FMN është shprehur se është borxhi i shërbyer me koston më të ulët se çdo vend tjetër. Sot kostoja e shërbimit të borxheve është bërë lugat i vërtetë i kësaj krize. Kjo përbën problemin më madhor. Kjo ka lidhje direkte me ekipin që trajton borxhin me përgjegjësinë më të lartë, por dhe me kredibilietin e ekonomisë shqiptare, të konfirmuar nga FMN.”- tha Berisha.

Turizmi, Shqipëria në moshën dixhitale, aktivitet ndërkombëtare të mbajtura gjatë këtij viti në Shqiperi, arsimi, bujqësia, avokati i popullit, infrastruktura dhe një serë temash të tjera, për të cilat kryeministri solli të dhëna shumë optimiste, zunë vend në analizën e tij vjetore.

© Panorama.al

Te lidhura