Analisti: Balluku nuk ka kompetenca të shpallë fituesit e tenderëve të rrugëve apo të orientojë procedurat e prokurimit me telefon! Jemi më keq se në 2013-ën

Dec 16, 2025 | 21:35

Analisti dhe politikani Ervin Kulluri tha sot në studion e “News 24” se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, nuk kishte asnjë kompetencë që të shpallte fituesit e tenderëve të rrugëve apo të drejtonte procedurat e prokurimeve me telefon.

Ervin Kulluri

Ai nënvizoi se zv/kryeministrja ka kompetenca të drejtojë mbledhje të Këshillit të Ministrave në mungesë të Kryeministrit, por kurrsesi të vendosë për fituesit, sepse shpalljet i bën Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve apo ARRSH-ja.

“Zv/kryeministri operon dhe vendos në vend të kryeministrit, por jo për këtë çështje. Por Ministria e Infrastrukturës nuk ka asnjë punë të shpalli fituesit, të orientojë dhe drejtojë apo të bëjë prokurime publike, nuk ka asnjë kompetencë as të drejtojë në telefon procedurat. Prokurimet e rrugëve i ka vetëm Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, pra ARRSH”, tha ai.

Më tej analisti shpjegoi se tani kryeministri Edi Rama nuk ka më alibi të thotë se po i hanë dardha pas shpine, sepse çdo gjë që ndodh me Ballukun më tej është përgjegjësi direkte e tij pas vendimit të Kushtetueses.

“Teorinë e dardhave nuk e përdor dot më. Tani ai nuk mund të thotë më se zv/kryeministrja më ha dardha pas shpine. Nuk e thotë dot më sepse tani është përgjegjës për anëtarët e Këshillit të Ministrave, i bie që ai të jetë i paaftë. Unë mendoj se në ato 6200 mesazhe në dosje janë edhe njerëz të afërt të Ramës apo familjarë, përveç njerëzve të Ballukut. Vizita në Turqi ka qenë publike dhe ndoshta mund të implikohet edhe vetë ai”, vijoi Kulluri.

Politikani argumentoi se e krahasuar me qeverinë “Berisha”, Shqipëria është më keq se në vitin 2013-ën në nivelin e abuzimeve dhe korrupsionit.

“Kam qenë edhe unë Sekretar i Përgjithshëm në atë kohë dhe kam firmosur procedura e tenderë, kam qenë e drejtues KVO-je, por nuk kam pranuar ndërhyrje apo të vendosja fituesit. A ka pasur të korruptuar në atë kohë? Po. Edhe pse jam kundër tij dhe dua largimin nga PD, në këtë rast më duhet ta them se ish-kryeministri Berisha në atë kohë nuk drejtonte me banditë. Shqipëria në nivelin korruptiv është më keq se çfarë ishte më 2013”, theksoi Kulluri.

Ai komentoi edhe çështjen e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend dhe hapjen e rrugës për arrestimin e mundshëm të zv/kryeministres për çështjet abuzive me tenderët dhe prokurimet.

Kulluri theksoi se PS ka mbajtur qëndrime me dy standarde ndaj SPAK kur ndoqi penalisht Berishën dhe Metën, si dhe tani që po ndjek Ballukun. Ai shtoi se nuk beson që Partia Demokratike do të mbajë një qëndrim të kundërt me atë që ka deklaruar publikisht.

“Nuk besoj se PD është çmendur dhe nuk ka asnjë arsye që në datë 22 të organizojë protestë dhe më pas të mos votojë heqjen e mandatit të Ballukut në Parlament”, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura