Amnistia zgjatet edhe 3 muaj

Dec 29, 2011 | 11:27
Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë

Qeveria ka marrë dje vendim për të shtyrë me tre muaj periudhën brenda së cilës mund të bëhet amnistia fiskale. Në mbledhjen e përjavshme të kabinetit u vendos që afati i fundit, i cili ishte 31 dhjetori, të bëhet 31 marsi, duke u dhënë individëve dhe bizneseve edhe 90 ditë të tjera kohë për të përfituar. “Miratimi i këtij akti ka të bëjë me shtyrjen për një periudhë tremujore të amnistisë fiskale, nga data 31 dhjetor 2011 deri më 31 mars 2012, për të gjitha kategoritë e të drejtave të parashikuara në ligjin e amnistisë fiskale për individë dhe biznese. Këtu përfshihet shtyrja e afatit për ushtrimin e së drejtës për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme të individëve apo e së drejtës së bizneseve për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore. Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë muajit dhjetor”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave.
Zgjatjen e afatit të amnistisë e paralajmëroi një javë më parë Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. Sipas tij, ky proces ka ecur shumë mirë, por për shkak të dyndjeve ditët e fundit të afatit të përcaktuar me ligj, është parë e arsyeshme zgjatja e kësaj periudhe. Në variantin fillestar ishte parashikuar zgjatja e periudhës së amnistisë fiskale për dy muaj, ndërsa në mbledhjen e djeshme është shtuar edhe një muaj tjetër. “Dua t’ju informoj se qeveria do të sjellë brenda pak ditëve te ju një akt normativ me të cilin do të shtyjmë edhe dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave në tërësi dhe të ndonjë pasurie tjetër, për arsye se ky proces i faljeve ka ecur në mënyrë të shkëlqyer. Por, siç e kemi ne, që shumë presim deri para fundit apo fundin, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive”, u shpreh kreu i qeverisë në fjalën para mediave. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur edhe shifrat zyrtare pas rreth shtatë muajve kur ka nisur procesi i amnistisë për rivlerësimin e pronave të paluajtshme. Kryeministri tha se deri tani kanë përfituar rreth 14 mijë familje dhe janë rivlerësuar shtëpi me vlerë deri në 700 milionë dollarë. Sipas këtij ligji ata që përfitojnë janë individët, bizneset e vogla dhe ato të mëdha. Falë amnistisë së apartamenteve, qytetarët mund të paguajnë më pak para në arkën e shtetit kur të shesin pronën e tyre.

Çfarë përfitohet nga falja
Për individët

1. Çdo qytetari i falen të gjitha detyrimet e papaguara deri në datën 31 dhjetor 2010.
2. Mund të legalizojnë çdo shumë të mjeteve monetare të padeklaruara kundrejt pagimit të tarifës prej 3 përqindësh të vlerës së legalizuar.
3. Çdo shtetas ka të drejtë të rivlerësojë me vlerën e tregut pasuritë e paluajtshme që zotëron kundrejt pagimit të një tarife një për qind të diferencës së vlerave nga 10 për qind që është sot.
Biznesi i vogël
1. Përfiton të drejtën të legalizojë çdo shumë monetare të padeklaruar kundrejt pagimit të tarifës prej 3 për qind.
2. Të vetëpunësuarve në bujqësi u falen kontributet e papaguara të sigurimeve shoqërore e shëndetësore deri në fund të vitit 2008. Atyre u falen kontributet e papaguara për vitet 2009-2010 me kusht që të paguajnë detyrimet e vitit 2011 brenda afatit ligjor.
3. Të gjithë tatimpaguesve të tjerë që nuk kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të punësuarit e tyre për periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen gjobat dhe kamatëvonesat që lidhen me këto detyrime.
4. Të gjithë tatimpaguesve u falen gjobat e papaguara për mosinstalimin e pajisjeve fiskale me kusht që t’i kenë të instaluara ato brenda datës 28 shkurt 2011.
Biznesi i madh
1. Të gjithë personave juridikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, u falen detyrimet tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2008. Detyrimet për vitin 2009 u falen nëse paguajnë 30 për qind të principalit, ndërsa për vitin 2010 u falen nëse paguajnë 50 për qind të principalit.
2. Personat juridikë kanë të drejtën në rivlerësojnë me vlerën e tregut pasuritë e paluajtshme dhe makineritë kundrejt tarifave 5 për qind dhe 3 për qind.
3. Diferenca që rezulton nga rivlerësimi do të përfshihet në shpenzimet vjetore në formën e amortizimit.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura