Amnistia, si do të shmanget hetimi për pastrim parash

May 24, 2011 | 10:22

Çdo transaksion mbi 20 milionë lekë, që do të kryhet në kuadër të amnistisë fiskale dhe legalizimit të kapitalit, do të raportohet pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.Por, puna e bankës përfundon vetëm me raportimin, ndërsa ajo e Drejtorisë vetëm me marrjen e informacionit. Ndaj atyre që deklarojnë paratë e “fshehura” në zbatim të ligjit për amnistinë fiskale, nuk do të hapet hetim. Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se raportimi pranë strukturës së Parandalimit të Pastrimit të Parave është një procedurë që duhet të kryhet si gjithmonë, por kjo e fundit nuk do të jetë në pozicion “sulmi” për informacionin që i jepet. Ky shpjegim vjen vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë fiskale, si dhe daljes së udhëzimit për mënyrën se si do të zbatohet ajo dhe sa do të zgjasë. “Thembra e Akilit” për këtë çështje për biznesin ka qenë gjithmonë siguria pas aktit të deklarimit. Jo rrallë është vënë në pikëpyetje se sa të rrezikuara ishin këto subjekte nga një hetim i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, në kuadër edhe të ligjit “Antimafia”, por, nga ana e Financave, në një dalje publike të ministrit Ridvan Bode, u sigurua që një përndjekje e tillë nuk do të bëhet.
Frika e bizneseve ka qenë e lidhur me faktin se mos për hir të politizimeve me ligjin e amnistisë fiskale si karem dhe me ligjin “Antimafia” nga ana tjetër, fillohej një luftë ndaj bizneseve. Ministria e Financave ka sqaruar se ndaj subjekteve që deklarojnë nuk do të ketë masa të tilla edhe për faktin se amnistia përjashton vetvetiu deklarimin e të ardhurave që vijnë nga trafiqet, korrupsioni dhe përjashton edhe politikanët dhe njerëzit afër pushtetit. Ndërkaq, në udhëzimin e miratuar nga Financat përcaktohet edhe rasti se kur lajmërohet struktura e DPPP-së, që nuk lidhet vetëm më shumën e deklaruar, por edhe për rastet kur të dhënat e formularit, të plotësuar përmes vetëdeklarimit, nuk përputhen me të dhënat e mëvonshme që kërkohen të vihen në dispozicion. Në raste të tilla, kur vëren të tilla mospërputhje, banka vijon me procedurat e tjera të verifikimit të të dhënave përmes institucioneve përgjegjëse që përcaktohen në udhëzimin e Financave. Për deklarimin e pasurive të fshehura në para apo pasuri të paluajtshme janë vendosur në dispozicion tri formate formularësh që mund të tërhiqen dhe të plotësohen.

Biznesi, frikë për sigurinë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, ka qenë një ndër institucionet që i ka mëshuar më shumë sigurisë që do t’i garantohet biznesit pas vetëdeklarimit. Jo në pak raste kjo Dhomë ka bërë edhe sugjerimet e saj lidhur me ish-draftin dhe tashmë ligjin e amnistisë, ku pika kyçe që vihej në diskutim lidhej pikërisht me instrumentet që do të përdoreshin për të evituar përndjekjen e bizneseve.

3 per qind
e shumës në të holla që do të legalizohet si nga individët, edhe nga bizneset, do të mbahet si tarifë nga ana e qeverisë, në zbatim të ligjit për amnistinë fiskale

35 per qind
Deri në këtë masë llogaritet që të jetë niveli i ekonomisë informale, e cila, përmes amnistisë fiskale, do të formalizohet dhe mendohet të sjellë rreth 3.5 miliardë lekë të ardhura

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura