Amnistia fiskale, qeveria: Shtyhet me 3 muaj

Dec 28, 2011 | 14:00

TIRANË- Qeveria vendos të shtyjë me tre muaj amnistinë fiskale për të gjitha kategoritë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe është argumentuar me fluksin e madh të kërkesave pranë zyrave përkatëse.

Ministrat miratuan aktin normativ për një ndryshim në ligjin nr. 10 418, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.

“Miratimi i këtij akti ka të bëjë me shtyrjen për një periudhë tremujore të amnistisë fiskale, nga data 31 dhjetor 2011 deri më 31 mars 2012, për të gjitha kategoritë e të drejtave të parashikuara në ligjin e amnistisë fiskale për individë dhe biznese”- thuhet në deklaratën e qeverisë.

Sipas vendimit, përfshihet shtyrja e afatit për ushtrimin e së drejtës për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme të individëve apo e së drejtës së bizneseve për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore.

Nevoja për të ndryshuar afatin ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fluksit të kërkesave të qytetarëve, veçanërisht gjatë muajit dhjetor.

© Panorama.al

Te lidhura