Kjo mungesë në ekran natyrisht që i ka shërbyer për t’iu përkushtuar më shumë pasionit të saj për modën e dhe biznesin e saj të fustaneve të nusërisë. Ka qenë ky angazhimi i Ami Toskës, pas mbylljes së spektaklit “Dancing with the stars” në “Vizion Plus”, ku ajo për herë të parë kishte për partner bashkëshortin e saj, Ermal Mamaqi. Ndërkohë që është folur se Ami do të jetë sërish moderatore e këtij realit show, ku personazhe të njohur VIP garojnë njëri-tjetrit në pistën e kërcimit. Këto ditë Ami është shfaqur në aktivitetin “Preview 2012”, të organizuar në “Venue Club” në Tiranë, ku u lançuan tendencat më të fundit nga kompanitë e modës. Ami prezantoi një pjesë të koleksionit 2012 për fustanet e nusërisë ku spikaste eleganca dhe klasi, ndërkohë që ishte kujdesur dhe për dekorimin e ambientit. Në mbrëmjen e veçantë ishte i ftuar special, Claudio De Cicco, drejtor artistik i “City Fashion Group”, i cili performoi mbi disa modele me prerje flokësh tendencë e vitit 2012. Në aktivitetin e zhvilluar në “Venue Club” me rastin e 10 vjetorit të Akademisë “Framesi”, drejtuar nga Gazmend Ujkashi, ishin të pranishëm shumë personazhe të njohur të botës së televizionit. Kjo ishte shfaqja e parë në publik e Amit pas natën së fundit të DWS, ndërkohë që në fund të janarit ajo do të nisë përgatitjet e edicionit të ri të “Dancing with the stars”, që këtë vit pritet të nisë më herët se dy vitet e mëparshme. Thuhet po ashtu se Ami këto ditë ndodhet me xhirime në Serbi, pasi është përzgjedhur nga kompania prestigjioze “Danone”, për të qenë imazhi i “Activia yogurt” për vitin 2012 për Shqipërinë.











