Kryetari i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, përmes të cilit ironizon reagimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me deklaratat që Sali Berisha bëri sot në Kuvend për ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato.
Në një reagim në “X”, teksa rishpërndau postimin e komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, Rama kërkoi ndjesë për mënyrën se si, sipas tij, një ligj “fisnik dhe plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin” është keqpërdorur për qëllime politike.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët”, ka shkruar Rama, ndërsa shton se: Megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara”, shkroi Rama.
Lidhur me reagimin e Ramës, Bardhi thekson se ambasadori Gonzato nuk ka asnjë nevojë për asnjë mbrojtje, veçanërisht të përfaqësuesve të krimit të organizuar në Kuvend.
Bardhi thotë se Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për korrupsionin, për vjedhjet dhe për çështjen e Tunelit të Llogarasë dhe jo t’i dalë në mbrojtje Gonzatos.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit
NDJESA E MUNGUAR E EDI RAMËS!
“U kërkoj ndjesë shqiptarëve që vetëm me aferën e Tunelit të Llogarasë u mora nga xhepat e tyre 50 milionë euro.”
€di Rama
“U kërkoj ndjesë bizneseve shqiptare, europiane dhe amerikane që i lodh dhe u shpenzoj kohë e para me gara fiktive dhe të paracaktuara.”
€di Rama
“U kërkoj ndjesë shqiptarëve për avokatinë e të pandehurës B€linda”
€di Rama
Këtë ndjesë presin shqiptarët nga €di Rama, jo keqpërdorimin e Ambasadorit të BE-së për mbrojtje politike.
Sa për Partinë Demokratike, kjo as ka ndodhur, as do të ndodhë ndonjëherë. Ambasadori i BE-së, z. Silvio Gonzato, ka respektin dhe vlerësimin tonë të plotë.
Ambasadori Gonzato nuk ka asnjë nevojë për asnjë mbrojtje, veçanërisht të përfaqësuesve të krimit të organizuar në Kuvend. Duke keqpërdorur dhe keqlexuar një deklaratë në përgjigje të interesit të medias mbi qëndrimin e Ambasadorit të BE, Edi Rama po tenton edhe njëherë, me shpifje dhe sajesa të sulmojë opozitën në Kuvend, ta përjashtojë, ta izolojë.
Deklarata e Berishës për qëndrimin e ambasadorit Gonzato ndaj ligjit për barazinë gjinore, reagon kryeministri Rama.
Çfarë deklaroi Berisha sot në Kuvend për Gonzaton?
Sali Berisha: Ekspertë të shquar, kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë.
Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit.
Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes.
Pas deklaratave të Berishës, Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, përmes në postimi në”X”, Kos tha se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë thelbësore e legjislacionit europian.
Ajo tha se këto parime nuk janë kërkesa personale të Gonzatos dhe se çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE.
Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkruan ajo.
© Panorama.al












