Ambasadori Gonzato: Ne nuk sugjerojmë ndryshimin e traktateve për rregullat e anëtarësimit në BE, por japim rekomandime! (VIDEO)

Nov 5, 2025 | 11:54

I pyetur në konferencën pas dorëzimit të Progres Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025 për Shqipërinë, për tezën e vendeve provë në Union pa të drejtë vetoje, ambasadori Silvio Gonzato shpjegoi se detyra e KE nuk është që të ndryshojë rregullat apo traktatin e vendosur për anëtarësimin e shteteve, por të japë rekomandimet.

rama dhe gonzato

Ai e përforcoi disa herë këtë qëndrim, duke e bërë të qartë se interesi i BE-së është që Shqipëria të realizojë detyrat e vendosura nga BE, të arrijë negociatat dhe të realizojë reformat nëpërmjet sundimit të ligjit.

Ai shpjegoi se traktati është vendosur që 14 vite më parë për rregullat e anëtarësimit dhe zgjerimit dhe ata nuk bëjnë propozime, por është vetë Unioni që i ndryshon ato nëse do marrë një vendim të përbashkët.

“Për çdo vend anëtarë është traktati i anëtarësimit. Përcakton ndryshime teknike, që tregon mënyrën si funksionon BE, kushtetutën e saj, se si ajo rregullohet dhe funksionon. Ajo u bë 14 vite më parë dhe në shohim hapat e anëtarësimit dhe zgjerimit, për t’i përpiluar mekanizmat e reja. Për këtë foli edhe komisionerja, që të sundojë ligji dhe të mos bëhen hapa pas në këtë drejtim, ne japim vetëm rekomandimet. Përshtatja dhe ndryshimet që mund të bëhen në traktat nuk mund të cenojnë ato që janë themelet për anëtarësimin në BE, sepse duhet të bëhet një ndryshim rrënjësor në traktatin e BE-së dhe nuk bëhet fjalë për këtë gjë”, tha Gonzato në prani të kryeministrit Edi Rama.

Ambasadori i BE-së bëri edhe një ndërhyrje të dytë sqaruese për këtë pikë pas këmbënguljes së gazetarëve në pyetjet që lidheshin me anëtarësimin e parakohshëm të Shqipërisë pa të drejtë vetoje. Ai sqaroi se ata nuk sugjerojnë ndryshime të traktateve të vendosura më parë.

“Qëndrimi i KE nuk është të sugjerojë ndryshime në traktatet që ndikojnë rregullat dhe funksionin e tij. Dhe kjo nuk është aspak diçka që është në tryezën e diskutimeve tona”, u shpreh diplomati.

© Panorama.al

Te lidhura